Arrestohen dy punonjëse në Tepelenë, dyshohen se i shitën barnat e spitalit

Policia e Shqipërisë ka njoftuar se Tepelenë janë arrestuar dy punonjëse të spitalit pasi që të njëjtat dyshohen se barnat e spitalit i kanë shitur në një barnatore private.

“Shitën ilaçet e spitalit të Tepelenës, në farmacinë private të një 42-vjeçareje, për të përvetësuar pagesat, procedohen penalisht 2 shtetase (me detyra shefe e Shërbimit dhe kryeinfermiere në spitalin e Tepelenës). Procedohet penalisht dhe 42-vjeçarja (me profesion farmaciste) e cila u implikua në këtë veprimtari kriminale”- thuhet në njoftimin e policisë.

Tutje policia sqaron se me këtë rast janë sekuestruar dokumente të spitalit (kartela dhe regjistra) që dyshohet se janë plotësuar fiktivisht për të marrë ilaçet.

“Menjëherë pas transmetimit në emisionin investigativ “Stop”, të një rasti të shitjes së ilaçeve me vulën e spitalit të Tepelenës, në një farmaci private, për llogari të 3 shtetaseve (2 prej tyre, punonjëse në këtë spital), specialistët për Hetimin e Krimeve Ekonomiko-Financiare të Drejtorisë Vendore të Policisë Gjirokastër kanë kryer të gjitha veprimet e nevojshme hetimore dhe procedurale për të nxjerrë përpara përgjegjësisë penale shtetaset përgjegjëse për këtë rast”- thuhet në njoftimin e polivcisë.

Tutje policia sqaron se sii rezultat, u referuan materialet në Prokurori ku nisi procedimi në gjendje të lirë për shtetaset:

-K. Gj., 44 vjeçe, banuese në Tepelenë, me detyrë shefe e Shërbimit, në Drejtorinë e Shërbimit Spitalor, Tepelenë;

-N. Z., 61 vjeçe, banuese në Tepelenë, me detyrë kryeinfermiere, në Urgjencën e Drejtorisë së Shërbimit Spitalor, Tepelenë;

-J. Gj., 42 vjeçe, banuese në Tiranë, me profesion farmaciste, pronare e subjektit privat ku shiteshin ilaçet me vulën e spitalit të Tepelenës.

Tutje sipas policisë, gjatë kontrolleve në spitalin e Tepelenës dhe në farmacinë e shtetases J. Gj., u gjetën dhe u sekuestruan në cilësinë e provës materiale, kartela dhe regjistra mjekësorë që dyshohet se janë plotësuar me të dhëna fiktive, për të shitur ilaçe për përfitime personale.

“Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Gjirokastër, për veprime të mëtejshme, për veprat penale “Shpërdorimi i detyrës”, “Vjedhja e kryer duke shpërdoruar detyrën”, “Falsifikimi i dokumenteve” dhe “Fshehja e të ardhurave”- thuhet në njoftim.