Arkitekti: Fajtori i rrëzimit të kulmit të komunës është puna e keqe

Era që ka fryrë të enjten më 18 janar në Prishtinë nuk ka qenë arsye e rrëzimit të kulimit të objektit të ri të komunës, por puna e dobët e ndërtimit.

Kështu ka vlerësuar arkitekti i angazhuar nga Komuna e Prishtinës, Visar Geci. Për këtë duhet të kërkohet përgjegjësi në tre nivele, ka thënë ai.

“Fajtorin fizik e kam gjetë, shkakun që u ardh deri te ajo, fajtori fizik është puna e keqe, puna pa punë. Fryma nuk është shkaku me u rrëzu kulimi, nuk është, arsyeja është se nuk është nderuar si duhet” – tha Geci për KallxoPernime.

“Në fakultet na kanë mësu, përgjegjësit duhet me ditë edhe anën ligjore, me përgjegjësitë e tua e me çka jo. Punëkryesi, ai që udhëheq punën dhe kush e bën pranimin teknik, ish kanë mirë me u marrë në pyetje për me ditë pse ka ardh deri te kjo punë” –  deklaroi ai.

Sipas tij, kjo nuk është hera e parë që një pjesë e kulmit të komunës së Prishtinës rrëzohet.

“Në vitin 2016 ose 2017 e kemi pa që një pjesë kulimit të komunës është rrëzuar, e kam pa vetë me sy, nuk e di çfarë është sanuar, a është nderuar kulimi sipas projektit – tha ai.

Kulmi i rrëzuar i objektit të Komunës së Prishtinës, Foto: KALLXO.com