Arifi: Agjencia për Privatësi ka gjetur tri raste ku janë përdorur karakteristikat biometrike

Arbian Arifi, inspektor në Agjencinë për Informim dhe Privatësi, në emisionin “Kallxo Përnime” ka treguar se në dy institucione publike dhe në një institucion privat janë gjetur detektorë të fytyrës, të cilët janë vendosur për të evidentuar vijueshmërinë në punë.

“Ne kemi hasur tri raste ku janë përdorur karakteristikat biometrike për qëllim të evidentimit të vijueshmërisë në punë, kemi dy institucione publike dhe një institucion privat, kanë vendosur me qëllim të evidentimit të punonjësve hyrje-daljet dhe mbajtjen e orëve të punës, kanë vendosur pajisje biometrike të cilat kanë njohur ose fytyrën ose gjurmët e gishtërinjve”- ka thënë Arifi.

Inspektori tregon se Ligji e thotë që nëse tiparet biometrike duhet të përdoren si të fundit nëse nuk mund të arrihet qëllimi me mjete të tjera, pra vijueshmëria në punë mund të arrihet edhe me mjete të tjera RFID (identifikimi me radio- frekuencë).

Arifi vlerëson se mund të përdoren forma të tjera të cilat vlerësojnë vijueshmërinë e punëtorëve.

“Format e tjera janë përmes mbikëqyrësve të punëtorëve, zinxhirit kontrollues të punëtorëve, ku punëdhënësi njofton drejtorin, drejtori-udhëheqësin, udhëheqësi-punonjësin, kjo është një formë por edhe forma që përdoret edhe në vendet evropiane” – ka thënë ai.

Në anën tjetër, Krenare Sogojeva Dëremaku, komisionere e Agjencisë për Informim dhe Privatësi, ka thënë se detektimi mund të bëhet por nuk lejohet fotografimi dhe ruajtja e saj.

“Duhet me u caktu personi përgjegjës që ka me i pa ato, qasja duhet me iu leju personit që hyn dhe del, duhet me pasë qasje gjithherë për me e pa hyrjen-daljen e vet dhe ajo mos me u keqpërdor” – tha ajo.