Arbër Tolaj: Ligji për punësimin e personave me nevoja të veçanta nuk zbatohet në Kosovë

Arbër Tolaj, deputeti i AAK-PSD, tha se në Kosovë ekziston Ligji për aftësimin dhe riaftësimin profesional dhe punësimin e personave me nevoja të veçanta por sipas tij, ky ligj nuk po zbatohet as nga institucionet private e as publike edhe pse ky ligj sipas tij i obligon që të punësojnë një person me nevoja të veçanta në çdo 50 të punësuar.

“Deri më sot asnjë institucion nuk është paralizuar për mos zbatimin e ligjit edhe pse nuk i përmbushin as për së afërmi kriteret që kërkohen me ligj”, shtoi ai.

Tolaj gjatë debatit parlamentar për për gjendjen e të drejtave të personave me nevoja të veçanta në Republikën e Kosovës, tha se nuk ka as statistika se sa persona me aftësi të kufizuara punojnë qoftë në sektorin publik apo privat.

Sipas tij sfidë mbetet qasja e tyre në shkollim sepse sipas tij nuk kanë asistent ndihmës nëpër klasa si dhe shërbimet shëndetësore të cilat sipas tij nuk janë në nivelin e duhur dhe të dëshirueshme.