Arben Vitia shpreh ngushëllime për mjekët që vdiqën nga COVID-19

Ish-ministri i Shëndetësisë, Arben Vitia përmes një postimi i ka ngushëlluar familjarët dhe profesionistët shëndetësor për vdekjen e mjekut të Reumatologjisë, Sylejman Rexhepi, kirurgut Ali Tolaj dhe mjekut familjar Fadil Zuka.

“Humbja e çdo njeriu është humbje për familjen dhe shoqërinë, humbja e një profesionisti shëndetësor është humbje që rëndon në secilin ngase një mbrojtës më pak për mbrojtjen e jetëve të tjera” ka shkruar Vitia.

Sylejman Rexhepi është mjeku i dytë që vdes brenda 24 orëve në Kosovë pas vdekjes së mjekut në Spitalin Rajonal të Gjakovës, Ali Tolaj. Këtë javë ka vdekur edhe mjeku familjar në Viti, Fadil Zuka.

Në Kosovë janë 6,467 persona të infektuar, 3,505 persona të shëruar ndërsa 158 kanë vdekur.