Foto: Urim Krasniqi/KALLXO.com
Arben Gashi pretendon se shkrimet ndaj tij u iniciuan nga Glauk Konjufca
Gjatë ditës së sotme, ka dështuar të mbahet mbledhja e kryesisë së Kuvendit, shkaku i një postimi në rrjetin social Facebook të cilin e kishte bërë shefi i kabinetit të kryetarit të Kuvendit të Kosovës, Ilir Kërçeli.
Mbledhja e Kryesisë së Kuvendit nuk përfundoi për shkak se pati një përplasje mes Gashit dhe Kërçelit.
Për këtë shkrim, ka reaguar kryetari i grupit parlamentar të Lidhjes Demokratike të Kosovës, Arben Gasi duke shtuar se ai postim ishte për të, dhe tentim për të denigruar deputetë të caktuar.
Gashi vlerëson se postimi i Kerçelit, është nxitur nga kryeparlamentari.
“Mendoj që asnjë shef kabineti në asnjë vend bote, e asnjë institucion nuk flet pa lejen e shefit të vet”, tha Gashi.
Ndërsa kryekuvendari Glauk Konjufca tha se e ka lexuar postimin e shefit te kabinetit dhe se nuk ka përdorur asnjë emër.
“Unë e kam lexuar reagimin e shefit të stafit, ka qenë reagim në parim nuk e ka përmendur asnjë emër. Mendoj që gjitha emrat që janë lakuar pastaj nuk janë prej shefit të stafit por janë prej mediave dhe portaleve të caktuara të cilat zoti Gashi i ka marrë si sulm personal”, tha ai.
Gjatë ditës së djeshme, Gashi kishte bërë një postim në rrjetin social Facebook, ku ka treguar se vetëm mandatin e parë është kompensuar për karburante nga Kuvendi i Kosovës, ndërsa sipas tij për 4 mandate tjera nuk ka marr kompensim.
Pas incidentit në Kryesi të Kuvendit, kryetari Glauk Konjufca ka paralajmëruar masa disiplinore ndaj deputetit të LDK-së, Arben Gashi.
Kurse, më vonë në një postim, Ilir Kerçeli, shefi i kabinetit të Glauk Konjufcës, kishte bërë publike disa të dhëna për mëditje të udhëtimit për një deputetë të LDK-së.