Apeli refuzon kërkesën për përjashtimin e Prokurorisë së Prizrenit dhe prokurorit në rastin e Iran Badallit

Prokuroria e Apelit, e ka refuzuar si të pabazuar kërkesën e avokates së të akuzuarit Iran Badalli, për përjashtimin nga procesit të Prokurorisë së Prizrenit dhe prokurorit të rastit.

Mbrojtësja Ermira Gavazaj-Gashi, në seancën e kaluar me 23 shtator 2021, duke vënë në dyshim objektivitetin, njëanshmërinë, më pas sipas saj edhe shkeljet ligjore dhe joprofesionale të bëra nga Prokuroria dhe prokurori i rastit, kishte kërkuar që lëndën ndaj të akuzuarit Badalli ta merr në shqyrtim Prokuroria Speciale.

Në vendimin e siguruar nga KALLXO.com Prokuroria e Apelit, pas elaborimit të kërkesës së mbrojtëses së të akuzuarit Iran Badalli, ka ardhur në përfundim se ky rast është trajtuar dhe është duke u trajtuar sipas agjendës së asaj prokurorie prandaj kjo kërkesë është e paarsyeshme dhe pretendimet e mbrojtëses nuk qëndrojnë.

“Prokurori i rastit Metush Biraj, rastin në fjalë e ka trajtuar me profesionalizëm të lartë, paanshmëri dhe pavarësi të plotë dhe mendojmë se nuk ka arsye për përjashtim të Prokurorisë Themelore të Prizrenit dhe prokurorit nga përfaqësimi i kësaj lënde”, thuhet në vendim.

Prokuroria e Apelit ka konstatuar gjithashtu se në rastin konkret nuk ka asnjë arsye që ta bartë në prokurori tjetër brenda territorit të Kosovës.

E kontaktuar nga KALLXO.com, avokatja Ermira Gavazaj-Gashi deklaroi se vendimi i marr nga ana e Apelit nuk është arsyetuar.

“Lidhur me këtë çështje, konsideroj se ky vendim thjesht është parafrazuar se pretendimet e mia si mbrojtëse nuk qëndrojnë duke mos dhënë arsyetim dhe bazë se si të tilla janë refuzuar”, shtoi ajo.

Pas kësaj, avokatja tha se ka bërë një ankesë të posaçme drejtuar Kryeprokurorit të shtetit, Aleksandër Lumezi me kompetencë për të marrë vendimin përfundimtar mbi përjashtimin e Prokurorisë së Prizrenit.

Seancat ndaj të akuzuarit Iran Badalli janë caktuar për datat 11 dhe 18 nëntor.

Sipas aktakuzës të akuzuarit Iran Badalli dhe Arben Gashi ngarkohen se me anë të eksplozivit kanë shkaktuar rrezik të madh për jetën e njerëzve apo dëm të konsiderueshëm pasuror, që ka rezultuar me vdekjen e një personi, lëndimeve të rënda dhe të lehta trupore të personave të tjerë.

Sipas Prokurorisë, Iran Badalli dhe Arben Gashi në fillim të muajit janar 2020 në Prizren, janë furnizuar nga Valbon Çollaku me mjet eksploziv dhe të njëjtin mjet e kanë fshehur në shtëpinë e Iran Badallit.

Aktakuza, thotë se pas kontrollit të shtëpisë nga Njësiti për Trafikimin me Narkotikë, mjeti ka eksploduar dhe si pasojë ka vdekur zyrtari policor Sami Thaçi, ndërsa tre zyrtarë të tjerë policorë ishin lënduar rëndë.

Në aktakuzë thuhet se edhe fëmija i të akuzuarit Iran Badalli, kishte pësuar lëndime të rënda trupore.

Sipas aktakuzës, Badalli dhe Gashi akuzohen se kanë mbajtur edhe eksploziv “TNT” në peshë prej 809.1 gramësh dhe një detonator mekanik në të cilin ishte i vendosur një fitil ngadalndezës në gjatësi prej 63 centimetrave.

Ndërsa, i akuzuari Valbon Çollaku, ishte akuzuar se ka importuar, prodhuar ose shitur armë apo material plasës dhe të njëjtat të akuzuarve Iran Badallait dhe Arben Gashit ua kishte shitur për 400 euro.

Mirëpo, Çollaku, kishte arritur marrëveshje për pranimin e fajësisë me Prokurorinë pasi që paraprakisht i njëjti ishte shpallur edhe dëshmitar bashkëpunues për zbardhjen e ngjarjes.

Gjykata në Prizren, të akuzuarit Valbon Çollaku i kishte shqiptuar dënim me gjobë në shumë prej 1,000 eurove dhe dënim me kusht në kohëzgjatje prej 6 muajve, dënim i cili nuk do të ekzekutohet nëse i akuzuari nuk kryen vepër të re penale brenda 2 vitesh.

Ndërkaq, gjykimi po vazhdon vetëm ndaj dy të akuzuarve, Iran Badallit dhe Arben Gashit të cilët nga Prokuroria po akuzohen për dy vepra penale shkaktimi i rrezikut të përgjithshëm i cili ka rezultuar me vdekjen e një personi dhe lëndimin e disa zyrtarëve të tjerë të Policisë si dhe për veprën penale mbajtja në pronësi, kontroll ose posedim të paautorizuar të armëve.

KALLXO.com ka raportuar për këtë ngjarje.

Kjo ngjarje ishte trajtuar edhe në emisionin Drejtësia në Kosovë.

Misteret e vrasjes së policit, A u zbulua drogë në shtëpinë në Zhur?

Ajser Skenderi, Iran Badalli, Ermira Gavazaj-Gashi, Vdekja e policit Sami Thaçi, Shpërthimi në Zhur