Antikorrupsioni detyron gjyqtarët të heqin dorë nga bizneset

Agjencia Kundër Korrupsion përmes dy vendimeve  të ndara i ka detyruar dy gjyqtarë të heqin dorë nga bizneset e tyre private për shkak të konfliktit të interesit.

Sipas vendimit të AKK-së, rasti i Fatmir Aliu gjyqtar në Gjykatën Themelore në Prishtinë, Dega në Podujevë, është mbyllur për shkak se është shmangur gjendja e papajtueshmërisë, përkatësisht konfliktit të interesit në ushtrim të funksionit publik.

AKK më tej thekson se lidhur me kërë rast është verifikuar informacioni se gjyqtari në fjalë ka figuruar si person i autorizuar dhe pronar i biznesit privat “Fatmir Aliu”.

“Me datën 12.12.2019, Agjencia ka pranuar shkresë zyrtare me të cilën dëshmohet se z. Fatmir Aliu iu ka bërë kërkesë institucioneve përkatëse për shuarje të biznesit”, thuhet mes tjerash  në vendimin e Antikorrupsionit.

AKK në vendimin tjetër ka mbyllur edhe rastin e  Sinisha Borisavljeviq, gjyqtar në Gjykatën Themelore në Prishtinë, i cili ka qenë zyrtar i autorizuar në biznesin e tij privat “Sinisha Borisavljeviq”.

Sipas vendimit të AKK-së, zyrtari në fjalë është pajtuar me konstatimet e agjencisë dhe ka deklaruar se brenda afatit do ndërmarrë veprime për shmangien e konfliktit të interesit.

“Pas analizimit të informatave mbi biznesin, Agjencia konstatoi se zyrtari i lartë z. Borisavljeviq ka transferuar të drejtat e drejtimit të biznesit privat tek personi i besuar”, thuhet ndër të tjerash në vendimin e Antikorrupsionit.

Ligji për Parandalimin e Konfliktit të Interesit në Ushtrimin e Funksionit Publik në nenin 13 përcakton papajtueshmërinë me ushtrimin e funksionit publik.

“Zyrtari i lartë nuk mund të jetë menaxher, përfaqësues i autorizuar ose anëtar i ndonjë organi menaxhues apo mbikëqyrës i personave juridikë privatë, fitimprurës sipas ligjit përkatës për shoqëritë tregtare dhe organizatave joqeveritare, përjashtuar subjektet e përcaktuara në nenin 14 të këtij ligji”, thuhet në pikën 1 të nenin 13 të këtij ligji.