Anija me grurë largohet nga porti i Ukrainës për herë të parë që nga bllokada ruse

Sot është dita e 159-të e luftës Rusi-Ukrainë.

 Zhvillimet e fundit në dhe rreth Ukrainës janë si në vijim: 

Rusia po e zhvendos një numër të madh trupash në jug të Ukrainës në përgatitje për një kundërofensivë ukrainase, sipas zëvendës shefit të inteligjencës ushtarake të Ukrainës. “Ata po e rrisin numrin e trupave të tyre, duke u përgatitur për kundërsulmimin tonë [në jug të Ukrainës] dhe ndoshta duke u përgatitur për ta nisur një ofensivë të tyren”, tha Vadym Skibitsky. Presidenti ukrainas, Volodymyr Zelenskiy, tha se Rusia po i zhvendos disa nga trupat e saj nga pozicionet e tyre në juglindje, në mënyrë që t’i shtyjë drejt kryeqytetit rajonal të Khersonit, si dhe rajonit të Zaporizhzhia.

Një anije që transportonte grurë ukrainas u largua nga porti i Odesës të hënën në mëngjes me destinacion Libanin, e para që nga fillimi i pushtimit rus, sipas ministrisë së infrastrukturës së Ukrainës. Anija Razoni me flamurin e Sierra Leone, me 26,000 tonë misër, më në fund nisi lundrimin pas javësh negociatash midis Ukrainës dhe Rusisë, të udhëhequra nga Turqia dhe Kombet e Bashkuara. Rusia i ka bllokuar portet e Ukrainës që nga fillimi i luftës, duke e nxitur mungesën e grurit në mbarë botën që ka bërë që OKB-ja të paralajmërojë për një katastrofë urie të afërt.

Qindra mijëra civilëve u është kërkuar ta evakuojnë rajonin lindor të Donetskut në vijën e frontit, skenën e përleshjeve të ashpra me ushtrinë ruse. Më shumë se 50,000 fëmijë janë ende në rajon, sipas zyrtarëve lokalë. “Ata duhet të evakuohen, nuk mund t’i vendosni në rrezik vdekjeprurës në dimër pa ngrohje, dritë, pa aftësinë për t’i mbajtur ngrohtë,” tha në një deklaratë ministria e riintegrimit të territoreve të pushtuara përkohësisht të Kievit.

Rusia pretendon se pesë persona u plagosën pas një sulmi ukrainas me dron në selinë e flotës së saj në Detin e Zi, duke bërë që zyrtarët t’i anulojnë festimet e planifikuara për Ditën e Marinës. “Herët këtë mëngjes, [Ukraina] vendosi ta prishë ditën tonë të marinës,” tha Mikhail Razvozhayev, kreu i administratës lokale ruse në Sevastopol në Krime. “Një objekt i paidentifikuar ka fluturuar në oborrin e selisë së flotës. Sipas të dhënave paraprake, bëhet fjalë për një dron. Pesë persona u plagosën”.

Sulmet ruse goditën qytetin portual të Mykolaiv në jug të Ukrainës herët të dielën, duke plagosur tre persona dhe duke dëmtuar shtëpi dhe shkolla, sipas kryetarit të bashkisë së qytetit, Oleksandr Senkevych. Zelenskiy i përshkroi sulmet si “ndoshta më brutalet” në qytetin dhe rajonin e të gjithë luftës.

Granatimet ruse mbi Mykolaiv thuhet se vranë një nga njerëzit më të pasur të Ukrainës, Oleksiy Vadatursky dhe gruan e tij, Raisa. Vadatursky udhëhiqte biznesin e prodhimit dhe eksportit të grurit Nibulon, i cili përfshinte një flotë anijesh për dërgimin e grurit jashtë vendit. Një këshilltar presidencial, Mykhailo Podolyak, tha se Vadatursky ishte në shënjestër të veçantë dhe vdekja e tij “nuk ishte një aksident, por një vrasje e mirëmenduar dhe e organizuar me paramendim”.

Komiteti Ndërkombëtar i Kryqit të Kuq nuk ka marrë ende leje për ta vizituar ndërtesën në Olenivka ku u vranë të paktën 50 të burgosur ukrainas të luftës, tha të dielën. Rusia tha se ka ftuar ekspertë nga OKB-ja dhe Kryqi i Kuq për t’i shqyrtuar vdekjet “në interes të kryerjes së një hetimi objektiv”. Zelenskiy e denoncoi sulmin si një krim lufte.

Dyqind marinsa rusë nga brigada 810 e këmbësorisë detare refuzuan të ktheheshin për të luftuar në rajonet jugore të Ukrainës, sipas drejtorisë së inteligjencës të Ministrisë së Mbrojtjes të Ukrainës.

Të korrat e Ukrainës këtë vit mund të jenë gjysma e sasisë së zakonshme të saj për shkak të pushtimit rus, pohoi Zelenskiy. “Të korrat ukrainase këtë vit rrezikohen të jenë dy herë më pak,” tha presidenti ukrainas në komentet që mund ta intensifikojnë frikën e urisë globale.

Anija e parë eksportuese e grurit mund të largohet nga portet e Ukrainës të hënën, tha një zëdhënës i presidentit turk, Recep Tayyip Erdoğan. Duke folur në një intervistë për transmetuesin Kanal 7, Ibrahim Kalin tha se qendra e përbashkët e koordinimit në Stamboll ka të ngjarë ta përfundojë punën përfundimtare në rrugët e eksportit shumë shpejt.

Britania tani do t’u kërkojë kompanive të huaja që mbajnë prona në Mbretërinë e Bashkuar t’i identifikojnë pronarët e tyre të vërtetë si pjesë e një goditjeje ndaj oligarkëve rusë dhe elitave të korruptuara që pastrojnë pasurinë e paligjshme. Regjistri i subjekteve jashtë shtetit do të kërkojë të sigurojë që kriminelët nuk mund të fshihen pas zinxhirëve të fshehtë të kompanive guaska ose t’i përdorin pronat në Britani për t’i fshehur paratë e pista, tha ministria e biznesit në një deklaratë të hënën./The Guardian