Anëtarja e bordit të RTK-së thotë se ka tendencë për frikësim nga drejtori gjeneral, Shkumbin Ahmetxhekaj

Anëtarja e Bordit të Radiotelevizionit të Kosovës, Shukrije Rama ka thënë se po ndihet nën presion nga drejtori i përgjithshëm të RTK-së, Shkumbin Ahemtxhekaj.

Rama e tha këtë në mbledhjen e komisionit për administratë të cilën e ka thirrur ky komision.

“Nga data 6 dhjetor 2021 kur kam marrë mandatin si anëtare e bordit të RTK-së, për asnjë moment nuk jam ndier në presion dhe as nuk ndihem në presion as nga partia në pushtet dhe as nga një parti tjetër. Ndjenja e vetme e pakëndshme që e kam përjetuar gjatë mandatit tim ka qenë tendenca për frikësim nga ana e drejtorit të përgjithshëm përmes një ankese drejtuar anëtarëve të bordit. Si tentativë për të më penguar, për të ma mbyllur gojën dhe për të ma ndal zërin sa i përket artikulimeve të çështjeve e problemeve relevante dhe aktuale në RTK, për të cilat jemi të gjithë përgjegjës” – tha Shukrije Rama.

Ajo tha se më 28 dhjetor 2022 ka dërguar në adresën e bordit evidencën e shkeljeve dhe veprimeve anti-ligjore ku ka kërkuar qasje në dokumente zyrtare për të verifikuar shkeljet.

Ajo tha se ka kërkuar edhe bashkëpunim nga anëtarët e tjerë të bordit për dokumentimin e shkelje, por ata nuk kanë shprehur interesim.

“Meqenëse anëtarët e tjerë të bordit nuk kanë shprehur interesim për t’i pasur në dispozicion dokumentet, evidentimet dhe dokumentimi i shkeljeve janë iniciativë e imja personale e bazuar në përgjegjësitë ligjore qe m’i keni besuar ju për të qenë unë anëtare e bordit të RTK-së” – tha ajo.

Ndaj kësaj reagoi kryetari i Bordit të RTK-së, Besnik Boletini i cili tha se i ka thënë anëtares Rama që do të diskutojnë për këto çështje.

“Për çështjet që i ka ngrit, ne kemi diskutu shkurtimisht. Ajo ka bërë kërkesë përmes meje për t’i marrë të gjitha dokumentet për një çështje dhe ne do t’i diskutojmë të gjitha çështjet një nga një” – tha kryetari i bordit të RTK-së, Besnik Boletini.

Arbreshë Kryeziu – Hyseni, anëtare e komisionit (LLV) tha se ky diskutim do të duhej të ndodhte në një mbledhje të bordit, e jo para deputetëve.

“Kërkoj falje për interferimin por mu po më duket që ky diskutim do të duhej të ndodhte ndoshta në një mbledhje të bordit të RTK-së dhe jo sot këtu para deputetëve, me gjithë respektin. Mund edhe ta përcjellni në e-mailet tona dhe ne ta kemi parasysh që ta lexojmë, por megjithatë po më duket që po e orienton diskutimin krejt diku tjetër që nuk është përgjegjësi e jona” – tha ajo.

Me këtë u pajtua edhe kryetari i komisionit, Valon Ramadani. Ai tha se nuk e din se me cilën pikë të rendit të ditës po lidhet kjo.

Pas një pauze pesë minutëshe ai tha se mendon që duhet të vazhdojnë me rendin e ditës.

“Anëtarja Rama i ka ngrit disa dyshime dhe kemi kërku që ajo me vazhdu. Ne presim në mbledhjen e radhës që t’i diskutojmë. Anëtarët e tjerë kanë prit që t’i diskutojmë në mbledhje dhe jo përmes e-mailave” – tha Besnik Boletini.

KALLXO.com raportoi për kritikat e deputetit të PDK-së, Mergim Lushtaku ndaj bordit të Radiotelevizionit në mbledhjen që po mbahet sot.

Ndaj Radiotelevizionit të Kosovës ka padi se degradimet po i bën për të frikësuar sinjalizuesit.

Në emisionin Kallxo Përnime është diskutuar javën e kaluar për ketë se si  Fadil Hoxha, Kryetar i Sindikatës së Punëtorëve të RTK-së dhe sinjalizues nga mediumi publik ka ushtruar padi ndaj RTK-së pasi që është degraduar nga Shkumbin Ahmetxhekaj, për 5 shkallë, 9 muaj pasi të dytë kandiduan për drejtor të RTK-së.

Kjo padi është deponuar në shkurt si pjesë e iniciativës që tenton t’i bindë gjykatat e Kosovës që sinjalizuesit duhet të mbrohen nga shteti, e jo të luftohen.

Përfaqësues i Hoxhës është avokati Korab Sejdiu, ndërsa padia në fjalë quhet padi strategjike “pro bono” (pa kompensim financiar).

Padi strategjike quhen ato padi që kanë për qëllim të çojnë një interes publik përpara duke krijuar praktikë të re gjyqësore si dhe duke krijuar precedent në trajtimin e rasteve në interes të publikut.