Analistët serbë: Situata në Banjskë, ende e pasqaruar

Pas sulmit terrorist të 24 shtatorit në fshatin Banjskë të Zveçanit, të premten u mbajt diskutim me temën “Cila është zgjidhja e krizës pas Banjskës” në Qendrën Mediale në Çagllavicë.

Sipas analistit shqiptar nga Mitrovica e Veriut, Nexhmedin Spahiu, bisedimet dhe negociatat pas ngjarjeve të 24 shtatorit, duhet të vazhdojnë mes Kosovës dhe Serbisë, duke u zbatuar plani franko-gjerman.

“Zgjidhja politike do të jetë ajo siç është paraparë në planin franko-gjemran”, tha Spahiu.

Ai po ashtu foli edhe për Asociacionin e komunave me shumicë serbe, ku sipas tij zbatimi i njëkohshëm i planit franko-gjerman nënkupton që asociacioni hyn në fuqi në të njëjtën ditë kur do të hapen misionet e përhershme diplomatike të Kosovës në Beograd dhe të Serbisë në Prishtinë.

“Çfarë pas Banjskës? Pas Banjskës duhet vazhduar menjëherë me biseda”, shtoi Spahiu.

Ndërsa sipas Aleksandar Cerac nga Forumi Kombëtar serb, “largimi i serbëve” të Kosovës, do të ndikojë në konflikte të reja mes dy vendeve.

Ai ka kërkuar që në veri të krijohet kontrolli i plotë ku do të pamundësohej ndonjë ndikim tjetër, por edhe të parandalohet, sipas tij, largimi i serbëve.

“Ma gjeni në histori një aktivitet antiterrorist që është bërë që zona kur të mbyllet nuk është e mbyllur, e ju sot keni Jarinjën që është e hapur të largohemi. Ju keni Jarinjën që është e hapur për tu larguar, por e mbyllur për tu futur”, ka thënë ai.

Të pyetur rreth ngjarjeve të 24 shtatorit dhe për armatimin e futur në Banjskë, Ceran është shprehur se e gjithë kjo është e paqartë, por që sipas tij përgjegjësia qëndron tek pushteti në Beograd, njëkohësisht edhe te KFOR-i.

“Sa i përket armëve, askush nuk mund të më bindë që për lëvizjen e këtyre armëve nuk ka pasur njohuri, unë shoh kritikë të jashtëzakonshme për pushtetin në Beograd dhe do të dakordohem me këtë që përgjegjësia qëndron tek pushteti në Beograd” , ka shtuar Cerac.

Siç tha Ceran ajo se çfarë në Kosovë nuk dihet është se në Qeverinë e Beogradit, në të gjithë sektorët e sigurisë ka përfaqësues të NATO-s dhe Britanisë së Madhe dhe sipas tij armatimi i futur në territorin e Kosovës nuk ka mundur të kalojë pa e ditur pushteti në Beograd dhe forcat e KFOR-it.

“Askush nuk ka parashtruar pyetje për përgjegjësinë e KFOR-it. Si është e mundur që një njësi e këtillë të futet 11-12 kilometra në territor e të mos e shihet askush, pra në çfarë mënyrë ka ndodhur kjo”, ka thënë ai.

Ndërkaq për panelistin tjetër, Branemir Stojanoviq, për mënyrën se si kanë ardhur armët në territorin e Kosovës ende ka pak informata, por që sipas tij, në këtë pikë politika e të dyja vendeve ka dështuar duke thënë po ashtu se KFOR-i duhet të marrë përgjegjësi për këtë.

 

“Unë vetëm e di që ne kemi paguar e do të paguajmë ende çmimin e asaj çfarë ka ndodhur në Banjskë. Për sa i përket armëve dhe si kanë ardhur ka shumë pak informata… Do të doja që vëmendja të kthehet më shumë tek ajo, jo se çfarë do të ndodhë pastaj…”, tha Stojanoviq.

Ai shtoi  gjithashtu se në këto kushte nuk ka mundësi as të organizohen zgjedhjet në veri të vendit, pavarësisht deklaratave të fundit të presidentit serb, Aleksandar Vuçiq.

Mëngjesin e 24 shtatorit 2023 një sulm terrorist u krye në Banjskë të Zveçanit.

Afrim Bunjaku, rreshter i Policisë së Kosovës, u vra, një polic tjetër u plagos e një tjetër u lëndua nga ky sulm, ndërsa Policia u sulmua disa herë radhazi nga grupi terrorist deri sa këta të fundit ikën në drejtim të Serbisë.