AMMK: Gjatë muajve të pandemisë, ndotja e ajrit u ul për 50%

Agjencia për Mbrojtjen e Mjedisit të Kosovës ka bërë të ditur se gjatë kohës së pandemisë së COVID-19 është ulur ndotja e ajrit deri në 50 për qind në krahasim me periudhën e njejtë të vitit të kaluar.

Sipas AMMK, masat e ndërmarra nga Qeveria e Kosovës kanë rezultuar me rënie të qarkullimit rrugor dhe në dinamikën e disa aktiviteteve të tjera ekonomike, të cilat, sipas tyre, kanë ndikuar që të ketë edhe rënie të ndotjes së ajrit.

“Të dhënat e Agjencisë për Mbrojtjen e Mjedisit të Kosovës (AMMK), që vijnë nga sistemi i monitorimit të cilësisë së ajrit që menaxhohet nga Instituti Hidrometeorologjik i Kosovës, tregojnë për ulje të përqendrimeve të disa ndotësve të ajrit, e në veçanti të përqendrimeve të dyoksidit të azotit (NO2) dhe grimcave të pluhurit PM2.5 që kryesisht vijnë për shkak të zvogëlimit të trafikut dhe aktiviteteve të tjera të ngjashme”, thuhet në njoftim.

“Të dhënat e IHMK nga stacionet e monitorimit, flasin për ulje të ndotjes në shkallë deri në 50% në nivel të vendit krahasuar me periudhën e njëjtë të vitit të kaluar”, thuhet tutje.

Sipas Agjencisë, bazuar në të dhënat e regjistruara nga stacionet matëse në IHMK është vlerësuar se mesatarja e koncentrimit të NO2 në nivel të Kosovës gjatë muajit mars ka qenë rreth 15 µg/m3, krahasuar me rreth 30 µg/m3 sa ishte në muajin mars të vitit kaluar.

“Ndërsa gjatë muajit prill mesatarja e koncentrimit të NO2 në nivel të Kosovës ka qenë rreth 10.4 µg/m3, krahasuar me rreth 23.7 µg/m3 sa ishte në muajin prill të vitit kaluar. Ulje të koncentrimit janë regjistruar edhe për parametrat tjerë sikurse është PM2.5 përqendrimi i të cilit në ajër është i ndërlidhur po ashtu me aktivitetet e transportit”, thuhet në njoftimin për media.

“Bazuar në të dhënat e stacioneve matës të IHMK, është vlerësuar se mesatarja e koncentrimit të PM2.5 në nivel të Kosovës, gjatë muajit mars të këtij viti kanë qenë 14.9 µg/m3, krahasuar me rreth 21.7 µg/m3 sa ishin në muajin mars të vitit kaluar. Ndërsa gjatë muajit prill mesatarja e koncentrimit të PM2.5 në nivel të Kosovës ka qenë rreth 10 µg/m3, krahasuar me rreth 17 µg/m3 sa ishte në muajin prill të vitit kaluar”, është thënë aty.

Sipas AMMK, në këtë analizë nuk janë marrë parasysh parametrat meteorologjikë për dy muajt për të cilët janë analizuar rezultatet e matjeve.

Ndotja e ajrit në Kosovë ka qenë shqetësim për disa vite dhe sidomos gjatë stinës së dimrit.

 

Ky botim është prodhuar me përkrahjen e Bashkimit Europian. Përmbajtja e këtij botimi është përgjegjësi e BIRN-it dhe në asnjë mënyrë nuk mund të konsiderohet si qëndrim i Bashkimit Europian.