Ilustrim

Agjencioni për Mbrojtjen e Mjedisit bën thirrje të mos ngacmohen gjarpërinjtë në Gërmi

Agjencioni për Mbrojtjen e Mjedisit të Kosovës përmes një reagimi për media kanë thënë se gjarpërinjtë në Parkun e Gërmisë janë pjesë e rëndësishme e biodiversitetit të kësaj zone.

Sipas AMMK-së, në Gërmi janë katër lloje të gjarpërinjve, ndër ta edhe lloji helmues “Vipera ammodytes” (gjarpri i gurit, nepërka) e cila nuk është e rrezikshme deri në momentin që ngacmohet.

“Gjarpërinjtë, si çdo lloj tjetër i shtazëve të egra, kanë instiktin e vetëmbrojtjes dhe në rast se ndihen të kërcënuar ata do të mbrohet. Rastet e kafshimeve nga gjarpërinjtë helmues, që fatmirësisht ndodhin shumë rrallë, janë si pasojë e shkeljeve aksidentale me këmbë ose kapjes me dore pa i kuptuar pasojat qe mund të vijnë më pas”, thuhet në reagimin e AMMK-së.

Gjithashtu në reagim thuhet se prania e gjarpërinjve nuk duhet të paraqet asnjë shqetësim për vizitorët eventual të Parkut Gërmia, por gjithsesi se secili duhet pasur kujdes që jo vetëm gjarpërinjtë por edhe gjallesat tjera të mos shqetësohen në vendbanimin e tyre natyrorë me qëllim të mos kemi ndonjë ankesë për ndonjë sulm eventual prej tyre me qëllim të vetëmbrojtjes.

Reagimi i AMMK-së vjen pasi mediat vendore sërish raportuan për prezencën e llojit të gjarprit të rrezikshëm në Gërmi.