Gjendja e lumenjve, vetëm dy inspektorë janë për mbrojtjen e ujërave
Resurset e ujit në territorin e Kosovë janë keqshfrytëzuar dhe ndotur tregojnë të dhënat e raportit të Agjencisë së Mbrojtjes së Mjedisit të Kosovës.
Sipas raportit, si pasojë e shfrytëzimit të rërës dhe zhavorrit nga operatorët ilegal dhe legal në lumenjtë e Kosovës është rritur degradimi i sipërfaqeve të tyre duke tejkaluar kapacitetin e prurjes natyrale.
Në raport thuhet që pavarësisht se Ligji për Ujërat e Kosovës i mbron brigjet dhe rrjedhat e ujërave dhe akumulimet, ky ligj nuk po zbatohet sepse degradimi nuk është proces aktual por një problem i përcjellë gjatë dy dekadave të fundit dhe përben prishje të ekuilibrit ekologjik.
Po ashtu thuhet se mungesa e inspektimit dhe inspektorëve është një arsye tjetër që ka ndikuar në degradimin e ujërave.
Ndërkaq, vetëm dy inspektorë i ka Inspektorati për Mbrojtjen e Ujërave, dhe sipas Ministrisë së Mjedisit, gjatë vitit kanë hasur me dhjetëra aktivitete ilegale.
“Ne inspektoratin e MMPHI për momentin janë dy Inspektor për Mbrojtjen e Ujërave. Në këtë vit është hasur një numër i aktiviteteve ilegale qe kap shifrat e dhjetëra sosh”- është përgjigjur MMPHI për KALLXO.com
Sipas tyre po planifikojnë plane me masa për parandalimin e gjendjes aktuale të lumenjve në pellgin lumor tek: Drini i Bardhë që është më i rrezikuari, në Ibër, Moravë të Binçës dhe Lepenc.
KALLXO.com ka kërkuar se kur saktësisht do të fillojë intervenimi por MMPHI ka thënë që kjo pyetje është jashtë kompetencave dhe përgjithësive të Autoritetit te Rajonit të Pellgjeve Lumore.
Në bazë të Udhëzimit Administrativ nxjerrja e zhavorrit nga kompanitë është e ndaluar që nga viti 2016, ndërsa aktiviteti ilegal dhe legal; nuk ka ndaluar as pas këtyre viteve për ketë MMPHL thotë që ka zhvilluar inspektime të rregullta në bashkëpunim me Policinë e Kosovës.
“Aksionet janë zhvilluar nga 2017 e tutje. Ne vitin 2019 është zhvilluar një aksion 6 mujore inspektues te resurset minerare ne tere territorin e Republikës, ku janë përfshire edhe subjektet dhe personat fizik te cilët eksploatojne inertet e lumit. Ne vitin 2021, Policia e Kosovës ka krijuar një njësit për parandalimin e krimeve mjedisore i cili është ne kuadër te Krimeve te renda”- thuhet në përgjigjien e MMPHL-së.
Policia e Kosovës ka treguar për KALLXO.com që numri e rasteve të iniciuara për veprat penale “ndotja, degradimi ose shkatërrimi i mjedisit” për periudhën janar-gusht 2022 ka arritur në 53 aktivitete ilegale.
Në anën tjetër, aktivistja e mjedisit Egzona Shala- Kadiu ka propozuar si masë parandaluese inspektimin dixhital.
“Njëra nga mënyrat ose njëra ndër mënyrat më efikase sipas analizës që e kemi bërë nga terreni është të dixhitalizohet inspektimi, çdo qytetarë ka të drejtë edhe mundet që shumë thjeshtë me anë të një fotografie ta dërgojë në kohë reale për inspektim edhe ajo fotografi ato të dhëna të dëshmuara të merren drejtpërdrejt nga institucionet përkatëse”- ka thënë Shala Kadiu.
Sa i përket inspektorëve ajo ka theksuar që përveç që duhet shtuar numri i tyre me rëndësi është të bartin edhe potencial e kompetenca.
“Inspektimet edhe inspektorët duhet që në një formë fuqizohen përveç rritjes së numrit të tyre por duhet të kenë edhe kompetencat adekuate, mirëpo në anën tjetër duhet edhe mekanizma lehtësues sepse tek ne inspektimet ende kryhen në formë të letrës, me formë të vizitës, dhe në formë të fotografive duhet që ai inspektim kthehet në raport dhe dërgohet tek organet gjegjëse”- ka shpjeguar ajo për KALLXO.com.
MMPHI ka treguar projektet kapitale që kanë paraparë për pastrimin e shtretërve të lumenjve.
Më konkretisht shifra kanë dhënë për Pellgun e Drinit të Bardhë:
– Rregullimi i shtratit të lumit Krena në K. Gjakovë me vlerë 746,255.00 €,
– Rregullimi i shtratit të lumit Lumbardhi i Deçanit me vlerë 1,575,000.00 €,
– Rregullimi i shtratit të lumit Toplluha në K. Suharekë me vlerë 457,861 €,
– Rregullimi i shtratit të lumit Bistrica e Pejës me vlerë 258,000.00 €,
– Rregullimi i shtratit të lumit Drini i Bardhë në K. Pejë me vlerë 329,687.00 €,
– Ndërtimi i murit mbrojtës në lumen Drini i Bardhë në K. Pejë me vlerë 300,000.00 €,
– Pastrimi i shtratit të lumit Prilep në K. Deçan me vlerë 68,500.00 €,
– Rregullimi i shtratit të lumit Drini i Bardhë në K. Klinë me vlerë 100,000.00 €,
– Rregullimi i shtratit të lumit Drini i Bardhë –Rr. e Pejës në K. Klinë me vlerë 329,687.00 €
– Rehabilitimi i lumit Rimnik në K. Rahovec me vlerë 34,000.00 €,
– Rehabilitimi i lumit Duhllo në K. Rahovec me vlerë 50,000.00 €
Të dhënat e Agjensisë së Mjedisit kanë nxjerrë format më të shpeshta të degradimit mjedisor të këtyre lumenjve të cilat janë: ulja e lartësisë së shtratit të lumit, zgjerimi i tyre, ndryshimi i rrjedhës së ujërave, dëmtimi i substratit të florës përgjatë brigjeve të lumenjve, hapja e gropave të mëdha nga eksploatimi i inerteve, dëmtimi i ekosistemit të lumit.
Në bazë të rezultateve thuhet që prej këtyre problemeve të zgjerimit të shtretërve këtyre aktiviteteve i ka paraprirë zgjerimi i mëtutjeshëm procesit natyror të erozionit si rezultat i gërryerjes dhe heqjes së bimëve drunore dhe shkurreve.
Problem tjetër i nxjerrë nga monitorimi i Agjencisë është përmbytja nga nivele të larta të ujit në lumenjtë dhe dalja e lumenjve nga shtrati i tyre duke përmbytur brigjet e zonave përreth.
Raportin e plotë të AMMK-së mund ta lexoni në këtë LINK