Kosova e para në vlerësimin e EIONET për rrjedhën e të dhënave për mjedis

Agjencioni për Mbrojtjen e Mjedisit të Kosovës ka njoftuar se vendi ka shënuar progres në Rrjetin Evropian për Informim dhe Vëzhgim, EIONET sa i përket raportimit për të dhëna që lidhen me mjedisin, duke zënë vendin e parë.

Sipas vlerësimit parafinal të publikuar nga Agjencia e Mjedisit të Evropës, Kosova ka përmbushur 100% obligimet e planifikuara për raportim për vitin 2021.

Kosova ka raportuar në lidhje me të dhënat vjetore për cilësi të ajrit, raportim online për cilësi të ajrit; për emisionet në ajër; për gazrat serrë; për zonat e mbrojtura; për cilësi të ujërave dhe  për sasi të ujërave.

Viti 2021 shënon vitin me progresin më të madh në historinë e raportimeve në EIONET/EEA, që ka “realizuar Kosova përmes AMMK, nga viti 2011 (57%), viti 2018 (60%), viti 2019 (67%) dhe viti 2020 (89%)”, njofton Agjencioni për Mbrojtjen e Mjedisit.