AMMK: Industria, transporti dhe sektori i djegieve të vogla janë ndotësit më të mëdhenj të ajrit

Agjencioni për Mbrojtjen e Mjedisit të Kosovës ka publikuar raportin vjetor për gjendjen e ajrit në Kosovë për vitin 2021 ku thuhet se procesi i identifikimit të burimeve të ndotjes, tregon se emetimet më të mëdha për PM10 dhe PM
2.5 vijnë nga sektori i djegieve të vogla dhe industria, emetimet më të mëdha për NOx vijnë nga sektori i industrisë dhe transportit ndërsa emetimet më të mëdha për SO2 vijnë nga industria.

Ky raport ofron një përmbledhje të të dhënave për cilësinë dhe emisionet në ajër, ndikimin e ajrit në shëndet, infrastrukturën ligjore, investimet në sektorin e ajrit dhe rekomandimet për përmirësim të gjendjes.

Ky raport prezanton të dhëna dhe vlerësime për 5 ndotës: Monoksidi i Karbonit( CO), Ozoni (O3), Dyoksidi i Sulfurit (SO2), Dyoksidi i Azotit NO2 ), Grimcat e Pluhurit me diametër më të vogël se 10 mikron dhe 2,5 mikron (PM10 & PM 2.5)

Ndërsa të dhënat për shkarkimet në ajër përfshijnë vlerësimet për shkarkimet (emisionet) në ajër të NOx, SO2 dhe Pluhurin Total nga operatorët ekonomik: TCA dhe TCB, New Co Feronikeli dhe SharrCem.

Në raport po ashtu thuhet se Kosova është e ekspozuar ndaj përqendrimeve të larta të ndotjes së ajrit krahasuar me vendet tjera në Evropë. Vlerësohet se këto përqendrime janë deri në pesë herë më të lartë se nivelet e udhëzuesve kombëtarë dhe të BE-së.

“Energjia, industria, transporti, bujqësia, mbeturinat dhe konsumi i lëndëve djegëse të ngurta së bashku me kushtet e pafavorshme meteorologjike për shpërndarjen e ndotësve të emetuar në ajrin e mjedisit, veçanërisht gjatë periudhës së vjeshtë-dimë, dhe krijimet e shpeshta të smogut në ketë periudhë, janë identifikuar si faktorët kryesorë të ndotjes së ajrit në mjedisin e Kosovës. Më pak se 23% e popullsisë së Kosovës e perceptojnë cilësinë e ajrit të mjedisit si të dobët dhe kjo është shumë më e lartë në mesin e popullatës së aglomeracionit të Prishtinës, veçanërisht Obiliqit, për shkak të afërsisë me termocentralet dhe jetës urbane”, thuhet në raport.

Monitorimi i Benzen, Toluen, Etil benzen dhe Ksilen (BTEX) është bërë për herë të parë në Kosovë,
dhe sipas legjislacionit vendorë këto parametra monitorues janë brenda vlerave të lejuara 5 µg /m3.

Në këtë raport po ashtu thuhet se ndotja e ajrit është një ndër faktorët kryesore për shfaqjen e sëmundjeve respiratorë, vdekjeve të parakohshme, humbje vite të jetës.

“Ekspozimi afatshkurtër dhe afatgjatë ndaj ajrit të ndotur mund të çojë në reduktimin e funksionit të mushkërive, të infeksionet e organeve të frymëmarrjes dhe astma te rënduar, kancer etj. Ekspozimi i nënave ndaj ndotjes së ajrit shoqërohet me ndikime negative ne fertilitet, shtatzëni, si dhe në të porsalindurit dhe fëmijët. Gjithashtu, ka prova të reja se ekspozimi ndaj ndotjes së ajrit është i lidhur edhe me Diabetin e ri të tip 2 tek të rriturit si dhe mund të jetë e lidhur me obezitetin, inflamacionin sistemik, sëmundjen e Alzheimerin”, thuhet më tej në raport.

Sipas Raportit të publikuar në vitin 2021 nga MFK/MCC me titull “Ndotja e ajrit dhe ndikimi në shëndet në Kosovë”, është vlerësuar se ndaj ekspozimeve aktuale (krahasuar me vlerën kufitare prej 2.4 μg/m3 ) dhe më pas, vlerësimin e ekspozimit të vlerës kufitare sipas OBSH-së për përqendrimin e PM2.5 (10 μg/m3 ), rezultatet tregojnë se 1, 150 raste të vdekjeve në vit (121/100, 000 banorë) i atribuohen nivelit aktual të PM2.5 në Kosovë i cili paraqet 12.1% të vdekshmërisë totale, nga të gjitha shkaqet e vdekjeve natyrore.

Sipas Agjencionit Evropian të Mjedisit shkalla e vdekjeve të parakohshme që i atribuohen ndotjes së ajrit (PM2.5) ishin më të lartat në vitin 2018 në vendet e Evropës Qendrore dhe Lindore, duke arritur deri në 120- 180 vdekje për 100,000 banorë në Bullgari, Hungari, Poloni, Rumani dhe Kroaci. Numri i vdekjeve ishte më i ulët në vendet nordike, me shkallë rreth gjashtë herë më të ulëta, me 20-30 vdekje për 100,000 banorë.