Ambasadorja Geci e pikëlluar nga tragjedia në Finlandë ku mbeti e plagosur edhe një vajzë nga Kosova

Ambasadorja e Kosovës në Suedi, Shkëndije Geci, e cila është edhe ambasadore jo-rezidente në Finlandë, ka reaguar pas sulmit që ndodhi të martën, më 02.04.2024, në një shkollë në qytetin Vanta të Finlandës, e ku mbeti e plagosur edhe një fëmijë nga Kosova.

Geci teksa shprehur ngushëllime për të gjithë të prekurit nga kjo ngjarje duke thënë se është pikëlluar thellë “veçanërisht duke ditur se një nga prej të plagosurve është edhe një vajzë nga Kosova”.

“E pikëlluar thellë për tragjedinë në Finlandë, veçanërisht duke ditur se një nga të plagosurit është një vajzë nga Kosova. Ju përcjellim dashuri, mbështetje dhe ngushëllime të përzemërta për të gjithë të prekurit nga kjo ngjarje shkatërruese. Shpresoj të gjeni forcë dhe shërim në këtë kohë të vështirë”- ka shkruar ajo në platformën X.

Ministria e Punëve të Jashtme dhe e Diasporës (MPJD) e Kosovës thotë se Ambasada e Republikës së Kosovës në Stokholm është në kontakt të vazhdueshëm me autoritetet vendase dhe me familjen e vajzës së plagosur dhe ka ofruar ndihmën e saj sipas udhëzimeve të pranuara nga MPJD.

“Në lidhje me ngjarjen tragjike që ndodhi sot në qytetin Vanta/Finlandë, respektivisht shkollën ‘Viertola’, ku u vra një person dhe dy të tjerë u plagosën, Ministria e Punëve të Jashtme dhe Diasporës nëpërmjet Ambasadës së Republikës së Kosovës në Stokholm ka arritur që të konfirmojë nga familjarët se në mesin e të plagosurve është edhe një vajzë shqiptare nga Kosova” – thuhet në njoftimin e Ministrisë.

MPJD tha se sapo të pranojë dhe konfirmojë informacione të reja, do t’i ndajë ato me publikun.

Një fëmijë ka vdekur dhe dy të tjerë janë plagosur rëndë, sipas raportimit të BBC.

Policia ka thënë se tri viktimat dhe i dyshuari janë të moshës 12 vjeçare. I dyshuari kishte ikur por më vonë ishte ndaluar.

Një vajzë nga Kosova në mesin e të plagosurve nga sulmi në një shkollë të Finlandës