Foto: Ambasadori britanik, Nicholas Abbott, Facebook.

Ambasadori britanik viziton ushtarët e vendit të tij në Bondsteel

Ushtarët britanikë në Kampin e Bondsteel-it janë vizituar sot nga Ambasadori i Britanisë së Madhe në Kosovë, Nicholas Abbott.

Abbott ka thënë se atyre do t’u bashkohen edhe 200 ushtarë të tjerë në kuadër të misionit të NATO-s në Kosovë, me qëllim të ruajtjes së paqes.

“Kam vizituar kampin Bondsteel për të takuar ushtarë britanikë nga Regjimenti Mbretëror i Princeshës së Uellsit, të cilët kanë qenë në Kosovë si pjesë e një stërvitjeje vjetore. Ata janë tani nën komandën e NATO-s dhe do t’u bashkohen 200 ushtarë të tjerë nga angazhimi i Forcave Rezervë Strategjike të Mbretërisë së Bashkuar në ditët në vijim” – ka shkruar Abbott në Facebook.

Ambasadori britanik tha se është i kënaqur që vendi i tij vazhdon të kontribuojë fuqishëm në mandatin e KFOR-it në një kohë të vështirë dhe shqetësuese në Kosovë.

Mbretëria e Bashkuar ka njoftuar më 1 tetor se 200 trupa shtesë të saj do t’i bashkohen misionit të NATO-s në Kosovë, KFOR, pas situatës që u krijua në veri të vendit, pas sulmit terrorist të 24 shtatorit ndaj Policisë së Kosovës, ku u vra rreshteri Afrim Bunjaku e u plagos një polic tjetër.

Kampi i Bondsteel-it është baza kryesore ushtarake e drejtuar nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës sipas ligjeve dhe rregulloreve të KFOR-it.