Ilustrim

Ambasada e Britanisë së Madhe e konfirmon se një pjesëtar i tyre u lëndua në Malet e Sharrit

Një person derisa ka qenë duke u ngjitur në Malet e Sharrit në Brezovisë, dyshohet se ka rrëshqitur nga një lartësi afër 500 metra dhe ka pësuar lëndime.

Ambasada Britanike në Kosovë ka konfirmuar se personi i lënduar është pjesë e kësaj ambasade.

Sipas tyre, i njëjti aktualisht është në trajtim mjekësor.

“Mund të konfirmojmë se një anëtar i Ambasadës Britanike është përfshirë në një aksident në Malet e Sharrit” – thuhet në njoftimin e tyre.

KALLXO.com më herët raportoi se një diplomat britanik është lënduar gjatë ngjitjes në Malet e Sharrit.

Shërbimi i Kërkim Shpëtimit Malor, të cilët kanë intervenuar për shpëtimin e tij, kanë thënë për KALLXO.com se i njëjti ka qenë në gjendje stabile.

“Një bjeshkatar ka qenë duke ecë tek Guri i Kuq në Brezovicë, dhe ka rrëshqitur dhe ne si Kërkim Shpëtim e kemi pranuar një thirrje prej një personi që ka qenë me të. Personi është në gjendje stabile, ka pasë lëndime shumë, se ka rrëshqit prej lartësisë dikund afër 500 metra. Është ndalë tek një plato ku edhe e kemi gjet na, prej ku na i kanë dërguar kordinatat”- kanë njoftuar Shërbimi i Kërkim Shpëtimit Malor.

Të njëjtit kanë thënë për KALLXO.com se personit të lënduar i është dhënë ndihma e parë dhe më pas kanë intervenuar institucionet dhe “e kanë marrë me helikopter të KFOR-it”.

Lidhur me rastin, KALLXO.com ka kërkuar informacione nga Policia e Kosovës dhe është në pritje të përgjigjes së tyre.