I dërguari britanik për Ballkanin Perëndimor, Sir Stuart Peach dhe kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, 10 shkurt 2022 - Foto: Zyra e Kryeministrit

Britania e Madhe e shqetësuar me rritjen e tensioneve Kosovë-Serbi

Britania e Madhe është shprehur e shqetësuar për rritjen e tensioneve mes Serbisë dhe Kosovës ditëve të fundit.

Ky qëndrim është bërë i ditur në reagimin e ambasadës britanike në Kosovë.

“I dërguari i posaçëm i Mbretërisë së Bashkuar për Ballkanin Perëndimor, Sir Stuart Peach, foli dje me kryeministrin e Kosovës dhe presidentin serb, duke nënvizuar shqetësimin e Mbretërisë së Bashkuar për rritjen e tensioneve dhe gjuhën e ditëve të fundit” – thuhet në postimin në Twitter të ambasadës britanike në Kosovë.

Ndërsa për takimin e nesërm mes Kurti-Vuçiq, Britania ka kërkuar që palët ti vënë qytetarët në radhë të parë.

“Udhëheqësit tani kanë mundësinë dhe përgjegjësinë në bisedimet e tyre në Bruksel për të vënë qytetarët e tyre në radhë të parë, për të ndërtuar më tej në arritjet e deritanishme në Dialog dhe për të bërë hapa të rëndësishëm drejt normalizimit të marrëdhënieve”, thuhet në njoftim.

Nesër pas më shumë se 1 viti pa takime, kryeministri i Kosovës Albin Kurti dhe presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq pritet të takohen në Bruksel nën ndërmjetësimin e Bashkimit Evropian.

Sipas njoftimit të BE-së, takimi Kurti-Vuçiq, do të përqendrohet se si të avancohet dialogu drejt një marrëveshjeje gjithëpërfshirëse për normalizimin e raporteve.

Po ashtu, mëtohet që të trajtohen çështjet aktuale që kanë për synim zbutjen e tensioneve mes dy shtete. Kurti dhe Vuçiq nuk janë takuar në Bruksel që nga korriku i vitit të kaluar.

Palët kanë qëndrime të kundërta sa i përket edhe përfundimit të procesit dialogut të nisur më 2011. Përderisa Kosova kërkon që procesi të përmbyllet me një marrëveshje që do të përfshijë njohjen reciproke, Serbia synon një zgjidhje kompromisi.