Radoniqi tregon pse drejtori i Zyrës për regjistrim në KQZ nuk kaloi vlerësimin e britanikëve
Kryesuesi i Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, Kreshnik Radoniqi, në emisionin “Kallxo Përnime” ka folur për konkursin për drejtor të Zyrës për regjistrim, certifikim dhe kontrollin financiar të subjekteve politike në KQZ.
Radoniqi ka thënë se në konkurs kanë aplikuar tetë kandidatë, katër prej të cilëve kanë plotësuar kushtet ligjore.
Ai ka thënë se procedura ka qenë e përkrahur nga një projekt britanik.
“Kanë aplikuar tetë kandidatë. Prej tyre vetëm katër i kanë plotësuar kushtet ligjore ku kërkohet që duhet të ketë tetë vite përvojë punë menaxheriale. Nga ta një është tërhequr. Drejtori tani që është zgjedhur ka dalë më i suksesshmi. Procedura ka qenë e përkrahur nga projekti britanik. Çdo gjë ka qenë prej tyre e organizuar”- ka thënë ai.
Radoniqi ka thënë se kandidatët janë vlerësuar më ulët nga britanikët sepse standardi i tyre i vlerësimit është më i lartë.
“Projekti britanik na ka ndihmuar me procesin. Vlerësimi i zyrtarëve britanikë ka qenë më i ulët. Por standardi i vlerësimit nga zyrtarët britanikë ishte shumë më i lartë. Kam biseduar me ta dhe standardi i vlerësimit të tyre është shumë i lartë. Nuk është për Kosovë, ata kanë thënë se standardi është më i lartë sesa për Kosovë”- ka thënë ai.
Në dhjetor të vitit 2022, mediat raportuan se KQZ nuk kishte përfillur rekomandimet e Ambasadës britanike për emërimin e Besnik Buzhalës si drejtor të Zyrës për regjistrim, certifikim dhe kontrollin financiar të subjekteve politike në këtë institucion.