FOTO ILUSTRIM PROKURIMI

Lansohet sistemi i menaxhimit të lëndëve në OSHP, ekspertët shqyrtues të ankesave propozohen nga sistemi

Me qëllim që të rritet transparenca, llogaridhënia dhe efikasiteti në trajtimin e ankesave të bizneseve nga ana e Organit Shqyrtues të Prokurimit, Komisioni Rregullativ për Prokurim Publik (KRPP), ka lansuar sistemin për menaxhimin e lëndëve për Organin Shqyrtues të Prokurimit. Kjo është bërë në kuadër të projektit “Fuqizimi i Prokurimit Publik në Kosovë”.

Sipas KRPP-së, ekspertët shqyrtues do të propozohen nga sistemi.

“Ekspertët shqyrtues do të propozohen nga sistemi, hap i cili eliminon mundësinë që të favorizohen ekspertë të caktuar. Sistemi gjithashtu do të mundësojë që të eliminohen gabimet në vendime, pasi do të përdorë të dhënat nga sistemi i e-prokurimit” – thuhet në njoftim.

Tutje thuhet se operatorët ekonomikë do ta kenë më të lehtë që të dorëzojnë ankesat në OSHP, ndërsa autoritetet kontraktuese mund të bëjnë kërkesë që një operator të diskualifikohet drejtpërdrejt në sistem.

Kryetarja e OShP-së, Vjosa Gradinaj Mexhuani, tha se ky sistem është një hap në avancimin e prokurimit publik në Kosovë.

“Ky sistem aktivizon një sërë aktesh, veprimesh dhe stade në procesin e prokurimit, duke përsosur të njëjtin në transparencë dhe kontroll dhe duke shërndrruar atë në një sistem fare efektiv dhe kompakt me praktikat bashkëkohore të legjislacioni amë, prandaj promovimi i këtij sistemi nënkupton një hap evulucioni të avancimit të prokurimit publik dhe inkurajon arritjen e tri qëllimeve parësore të Organit Shqyrtues të Prokurimit Publik. Pra, të siguroj në mënyrë transparente dhe të drejtë shfrytëzimin e fondeve publike, të siguroj integritetin e sistemit të prokurimit dhe të nxisë krijimin e një kulture institucionale brenda organeve shtetërore” – tha kryetarja Gradinaj Mexhuani.

Në anën tjetër, kreu i Komisionit Rregullativ të Prokurimit Publik, Osman Vishaj, tha se KRPP ka qenë pjesë e të gjitha fazave të këtij projekti duke filluar nga përgatitja e termave të referencës, dizajnimin, zhvillimin, implementimin, dhe testimin e avancimeve të modulit të ankesave.

Më 23 qershor të vitit 2021, është nënshkruar një Memorandum Mirëkuptimi me Ambasadën britanike në Kosovë, me qëllim avancimin e modulit të ankesave në kuadër të portalit të prokurimit publik, përmirësimin e transparencës, llogaridhënies në procesin e trajtimit të ankesave me operatorët ekonomikë.

Fuqizimi i Prokurimit Publik në Kosovë është një projekt i mbështetur nga Ambasada britanike në Prishtinë, i cili implementohet nga DAI.