Aliu nënshkroi marrëveshje me Kolegjin ku sipas deklarimit të pasurisë-2021 merr rrogë si ligjërues

Ministri i Mjedisit, Planifikimit Hapësinor dhe Infrastrukturës, Liburn Aliu sot ka nënshkruar marrëveshje me Kolegjin ‘UBT’ për siç e ka quajtur ai ‘në fushat e interesit të përbashkët’.

“Sot, nënshkruam marrëveshjen që përcakton kornizat e bashkëpunimit institucional në mes të Ministrisë së Mjedisit, Planifikimit Hapësinor dhe Infrastrukturës dhe Kolegjit “UBT”, në fushat e interesit të përbashkët, në pajtim me kompetencat ligjore, për hartimin, aplikimin dhe zbatimin e projekteve, elaborateve dhe studimeve të përbashkëta, hulumtime shkencore, organizimin dhe realizimin e forumeve profesionale”, ka shkruar ai.

“Konferencave dhe simpoziumeve shkencore, realizimin e këshillimeve profesionale reciproke, ofrimin e mundësive për realizimin e praktikës profesionale për studentët, harmonizimin e përmbajtjeve mësimore me nevojave e tregut të punës, si dhe funksionalizimin e institucioneve të përbashkëta profesionale dhe shkencore”, ka thënë ai më tej.

Sipas Aliut, kjo marrëveshje e bashkëpunimit është reflektim i zotitmit të Ministrisë së Mjedisit, Planifikimit Hapësinor dhe Infrastrukturës për të forcuar bashkëpunimin me universitetet, në këtë rast me UBT – Higher Education Institution, në mënyrë që të jetësohet kjo praktikë në aktivitetet e përditshme të Ministrisë.

“Kjo qasje do të kontribuojë që planifikimi dhe orientimi strategjik, si dhe të gjitha vendimet që merren, të kenë bazë shkencore dhe në këtë mënyrë universitetet tona të japin kontributin e tyre në procese të rëndësishme”, ka thënë më tej Aliu.

Në deklarimin e tij të pasurisë të vitit 2021, ministri Aliu ka deklaruar se është paguar nga Kolegji “UBT”.

KALLXO.com ka dërguar pyetje në drejtim të Ministrisë së Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor dhe tek Kolegji ‘UBT’ dhe është duke pritur përgjigje.

Në anën tjetër, aktivisti Shkelzën Gashi dhe ish-këshilltari i kryeministrit, Albin Kurti ka kritikuar nënshkrimin e kësaj marrëveshje me një kolegj privat dhe sipas tij është ‘konflikt i pastër i interesit’.

“Ministri i Mjedisit, Planifikimit Hapësinor dhe Infrastrukturës, Liburn Aliu, paska nënshkruar sot një marrëveshje me kolegjin privat UBT. Pra, jo me UP-në, ashtu siç ka proklamuar LVV për pothuajse një dekadë, por me një kolegj privat, nga i cili, për më keq, Ministri Aliu edhe merr pagë”, ka shkruar ai në Facebook.

Sipas tij, kjo është shkelje e premtimeve të LVV-së për mbështetje të institucioneve publike të arsimit të lartë dhe konflikt i pastër i interesit.

“Por, kjo është edhe test për Kryeministrin Albin Kurti”, ka shkruar ai më tej.

Edhe analisti politik, Imer Mushkolaj ka shkruar se ministri ‘ka nënshkruar marrëveshje me një kolegj që paguhet’.

“Ministri nënshkruan marrëveshje me kolegjin privat, nga i cili paguhet si profesor”, ka shkruar Mushkolaj në Facebook.

Drejtori i ORCA-s, Rron Gjinovci po ashtu ka krituar këtë marrëveshje.

“Memorandum me privatët qeveria e majtë! 🤦‍♂️ Kurti 2 drejt një dështimi kolosal nëse vazhdon qishtu”, ka shkruar ai më tej.