Foto: KALLXO.com

Albulena Haxhiu padit Milaim Zekën për deklaratat për Gjykatën Speciale (DOKUMENT)

Ministrja në detyrë, Albulena Haxhiu ka paditur ish- deputetin e Kuvendit të Kosovës, Milaim Zekën për disa deklarata që ky i fundit duke pretenduar se Kryeministri në detyrë, Albin Kurti dhe ministrja Haxhiu janë takuar me kryeprokurorin e Gjykatës Speciale.

Haxhiu përmes padisë së dërguar në Gjykatën Themelore, të cilën e ka siguruar KALLXO.com, pretendon se Zeka ka shpifur dhe kështu ka dëmtuar reputacionin e saj dhe të kryeministrit në detyrë, Albin Kurti.

“Kjo deklaratë dihet qartazi se është e pasaktë dhe për këtë është në dijeni edhe vet i padituri Milaim Zeka por e ka bërë këtë me qëllim të dëmtimit dhe cenimit të imazhit të palës paditëse”, thuhet në mes tjerash në padi.

Haxhiu ka kërkuar kompensim në të holla dhe sipas saj këtë vlerësim duhet ta bëjë Gjykata kompetente që e trajton rastin.

“Pala paditëse vlerëson se për shkak të përjetimit të dhimbjes shpirtërore, denigrimit të personalitetit dhe cenimit të autoritetit, në bazë të nenit 182 par. 1 të Ligjit nr. 04/L-077 për Marrëdhëniet e Detyrimeve, kompensimi i dëmit jo material të bëhet në të holla në vlerë të caktuar në bazë të vlerësimit të gjykatës kompetente”, thuhet tutje në padi.

KALLXO.com ka kontaktuar edhe me Milaim Zekën i cili nuk komentoi padinë dhe tha se qëndron prapa çdo gjëje që ka thënë.

“Nuk kam çfarë të komentoj. Unë s’kam pasur asnjë konfirmim prej ministres për padi. E kam parë njoftimin e këshilltarit të saj, por asgjë tjetër. Unë i qëndroj mbrapa çka do që kam deklaruar”, tha shkurtimisht Milaim Zeka për KALLXO.com