Ilustrim

Aktakuzë ndaj katër personave për fajde, marrje e dhënie ryshfeti dhe keqpërdorim të detyrës zyrtare

Prokuroria themelore në Prizren ka ngritur aktakuzë ndaj katër personave N.K., I.F., K.G., dhe të pandehurës A.K., nën dyshimin se të njëjtit janë të përfshirë në veprat penale marrje e dhënie ryshfeti, fajde dhe keqpërdorim të detyrës zyrtare.

Sipas aktakuzës N.K. prej marsit të vitit 2018 e në vazhdimësi ka pranuar shumë të caktuar të pasurisë në këmbim të ofrimit të shërbimit për persona tjerë.

I njëjti duke e ditur gjendjen ekonomike të të dëmtuarit M.B., fillimisht i ndihmon që nga ai t’i largojnë fajdexhinjtë të cilët e kanë kanosur duke i ndihmuar të dëmtuarit për të kontaktuar me zyrtarë policorë të krimeve ekonomike.

Pasi që të njëjtit (fajdexhinjtë) procedohen në procedurë penale, N.K. kërkon nga i dëmtuari shumën prej 6 mijë euro si dhe kërkon nga i dëmtuari të autorizojë në llogarinë e tij bankare, ku pas këtij autorizimi muaj për muaj deri në arrestimin e tij kishte tërhequr mjete financiare. Me këto veprime i akuzuari e ka dëmtuar të dëmtuarin prej rreth 63 mijë euro dhe ka kryer veprën penale të fajdes.

Tutje N.K. prej vitit 2018 e në vazhdim me qëllim të përfitimit të kundërligjshëm të dobisë pasurore ka përdorur forcën dhe kanosjen ndaj M.B., që të veproj në dëm të pasurisë së tij, në atë mënyrë që në momentin kur i dëmtuari nuk i sillte vullnetarisht të hollat, N.K. shkonte tek i dëmtuari dhe e kanoste se do ta vret. Tutje të njëjtin e dërgonte tek bankomatet dhe e detyronte M.B., qe të tërheq para dhe të njëjtat të ia dorëzoj të pandehurit, duke i shkaktuar dëm të dëmtuarit prej rreth 83 mijë euro. E me këto veprime i njëjti ka kryer veprën penale të detyrimit.

Po ashtu i pandehuri i lartëcekur me qëllim që të dëmtoj drejtpërdrejtë të dëmtuarin M.B., i jep dhuratë të paarsyeshme të pandehurit I.F., dy vetura të vitit 2009 të nënshkruara me lizing nga i dëmtuari me qëllim që ky i pandehur të veproj në pajtim me detyrën e tij zyrtare( në cilësi të hetuesit të Njësisë rajonale të krimeve ekonomike në Prizren) ku M.B. ka qenë i dëmtuar.

Me këto veprime i pandehuri N.K. ka kryer veprën penale të Dhënies së ryshfetit kurse I.F. ka kryer veprën penale të marrjes së ryshfetit.

Ndërsa i pandehurit K.G., si polic në pikën kufitare të Vërmicës, duke mos i përmbushur detyrat e tij zyrtare i mundëson të pandehurit N.K. kalimin e kufirit edhe pse i njëjti nuk kishte dokumente valide gjë për të cilën ishte në dijeni zyrtari policor.

Ndërsa A.K. dhe N.K. në bashkëveprim e në mënyre mashtruese dhe me qëllim të përfitimit të kundërligjshëm të dobisë pasurore për vete e mashtrojnë të dëmtuarin M.B., në atë mënyrë që N.K. dhe të pandehurën A.K. merren vesh që e pandehura të krijoj lidhje dashurie me të tashmë të dëmtuarin dhe nga i njëjti ka kërkuar që t’i jap autorizim të pandehurës që në xhirollogarinë e M.B. të transferoj mjete monetare si dhe të bëjë pagesa. Me këto veprime në bashkëkryerje të pandehurit kanë kryer veprën penale të mashtrimit.