Përleshja fizike në Kuvendin e Kosovës, 13 korrik 2023 Pamjet: Kuvendi i Kosovës

Aktakuza për incidentin në Kuvend, flet deputeti Hajdar Beqa

Prokuroria Themelore në Prishtinë ka ngritur aktakuzë ndaj zëvendëskryeministrit Besnik Bislimi, dhe deputetëve Hajdar Beqa, Mërgim Lushtaku dhe Bekim Haxhiu, në lidhje me grushtet që u shkëmbyen në një seancë të Kuvendit të Kosovës e cila kishte ndodhur më 13 në korrik të këtij viti.

KALLXO.com ka kontaktuar me deputetin e Partisë Demokratike të Kosovës, Hajdar Beqa.

Beqa tha se ende nuk ka marrë informatë zyrtare lidhur me këtë aktakuzë, ndërsa shtoi se në çfarëdo rrethane të jetë, ai konsideron që do të dalin jo fajtorë.

“Nuk kam asnjë informatë zyrtare, prej teje po dëgjoj, nuk mundem me jep komente. As unë as mbrojtësi nuk kemi informatë. Çfarëdo rrethane të jetë unë konsideroj që ne do të dalim jo fajtorë, dhe fajtorë do të dalin anëtarët e Qeverisë”- tha ai.

Sipas tij, deputetët atë ditë kanë qenë viktima ndaj veprimeve të Qeverisë.

“Nuk kam informatë, ne kemi dhënë deklarimet tona para institucionit përkatës dhe konsideroj që nëse shikojmë Kodin Penal nuk është ndonjë vepër, konsideroj që aktakuza duhet ndaj atij që e ka inicu situatën atë ditë, zëvendëskryeministrit Besnik Bislimi. Nuk kam informatë po konsideroj që ne si deputetë atë ditë kemi qenë viktima ndaj veprimeve që i ka bërë Qeveria, është hera e parë që dikush nga ekzekutivi sillet në atë mënyrë”- është shprehur ai për KALLXO.com.

Sipas akuzës, të pandehurit Besnik Bislimi, Hajdar Beqa, Mërgim Lushtaku dhe Bekim Haxhiu, ngarkohen për veprën penale – Sulmi sipas dispozitave të Kodit Penal të Republikës së Kosovës. Po ashtu, i pandehuri Hajdar Beqa akuzohet edhe për veprën penale – Asgjësimi apo dëmtimi i pasurisë.

Në lidhje me të pandehurin Bekim Haxhiu, ekziston dyshimi i bazuar mirë se i njëjti ka kryer edhe veprën penale – Lëndimi i lehtë trupor duke u bazuar në dispozitat e KPRK-së.

Prokuroria Themelore i ka propozuar Gjykatës që të pandehurit të shpallen fajtorë dhe të ndëshkohen në përputhje me ligjin për veprat penale për të cilat janë akuzuar.

KALLXO.com ka kontaktuar edhe me deputetin e Partisë Demokratike të Kosovës, Mërgim Lushtaku. Ai tha se nuk ka ndonjë njoftim në lidhje me këtë aktakuzë të cilën e ka ngritur prokuroria deri sa shtoi se do të përballet me drejtësinë.

Aktakuza për grushtet në Kuvend, flet Mërgim Lushtaku

Grushtat në seancën e 13 korrikut, aktakuzë ndaj tre deputetëve dhe një zv/kryeministri

Më 13 korrik 2023 gjatë kohës sa ishte duke dhënë fjalim kryeministri Albin Kurti ka ndodhur një përplasje fizike në Kuvendin e Kosovës.

Gjatë kohës sa ministri i Financave, Hekuran Murati është ngritur nga karrigeje e tij, deputeti i PDK-së, Mërgim lushtaku ka hedhur ujë në drejtim të tij dhe më pas ka ndodhë një përleshje fizike.