Aksioni për kokainë, ministri Sveçla: Pas 14 shkurtit, Kosova nuk do të jetë më streha e kriminelëve

Ministri i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla ka reaguar pas aksionit të sotëm të Policisë për kapjen e një sasie të konsiderueshme kokaine.

Ai ka falënderuar institucionet e partnerët aleat që ndihmuan në këtë zbulim.

Sveçla ka deklaruar se pas 14 shkurtit, Republika e Kosovës nuk do të jetë më streha e kriminelëve.

“Sot gjatë një aksioni të koordinaur me institucionet e partnerëve tanë, Policia e Kosovës ka kapur një sasi të konsiderueshme të substancës së dyshuar, kokainë. Falënderoj institucionet e partnerëve tanë aleat që ndihmuan në këtë zbulim dhe përgëzoj pjesëtarët e Policisë së Kosovës për kryerjen e shkëlqyeshme të detyrës së tyre. Republika e Kosovës me të gjitha kapacitetet e saj do të jetë e pakompromis në luftimin e të gjitha aktiviteteve kriminale që rrezikojnë sigurinë e qytetarëve dhe që sfidojnë sundimin e ligjit. Pas 14 shkurtit, Republika e Kosovës nuk do të jetë më streha e kriminelëve”, ka shkruar ministri Sveçla në rrjetin social “Facebook”.

KALLXO.com mëson tutje se një operacion policor si bashkëpunim mes Policisë së Shqipërisë, Kosovës dhe Italisë është finalizuar gjatë ditës së sotme dhe dyshohet se janë konfiskuar rreth 400 kilogramë kokainë.

Kamioni në të cilin ishte vendosur kokaina, siç merr vesh KALLXO.com, ka qenë duke transportuar edhe një sasi mishi.

Siç mëson KALLXO.com, kamioni ka hyrë përmes pikës kufitare së Vërmicës ndërsa është ndaluar në hyrje të qytetit të Lipjanit.

Vendi i ngjarjes është duke u ekzaminuar, ndërsa drejtori i antidrogës duke folur për KALLXO.com, ka demantuar njoftimet e mëhershme se janë konfiskuar më shumë se 2.2 ton kokainë.

Flet drejtori i Anti-drogës për KALLXO.com, demanton se janë kapur mbi 2 ton kokainë në Kosovë