Emergjenca

Foto: Afrim Ejupi / KALLXO.com

Aksidenti zinxhiror në autostradë, shtatë nga tetë të lënduarit lirohen për në shtëpi

Tetë persona kanë kërkuar ndihmë mjekësore në Klinikën Emergjente në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës pas aksidentit me 14 vetura që ndodhi në mëngjesin e sotëm.

Shtatë nga tetë të lënduarit tashmë janë liruar për në shtëpi.

Lajmi për KALLXO.com është konfirmuar nga zëdhënësi i Shërbimit Spitalor dhe Klinik Universitar i Kosovës, Shpend Fazliu.

“SHSKUK ju konfirmon se tetë persona kanë kërkuar ndihmë mjekësore ne Klinikën Emergjente, pas aksidentit në komunikacion, i ndodhur në Autostradë. 7 nga ta janë liruar në shtëpi, pas trajtimit mjekësor, 1 ende ndodhet në klinikën emergjente, jashtë rrezikut, me lëndime trupore” – tha Fazliu.

Një aksident i rëndë komunikacioni me ka ndodhur mëngjesin e sotëm në Autostradën “Ibrahim Rugova” në aksin rrugor Mazgit-Bresje, ku janë përfshirë 14 automjete.

Lajmin është konfirmuar nga Daut Hoxha, zëdhënës në Policinë e Kosovë.

“Rreth orës 06:50 në autostradën Ibrahim Rugova, Mazgit-Bresje mbi urë sipas informatave fillestare është shkaktuar një aksident trafiku zinxhiror ku janë të përfshira 14 automjete dhe si pasojë e aksidentit raportohet edhe për persona të lënduar” – Hoxha.

Tutje ai njoftoi se rruga ka qenë e bllokuar përkohësisht, përderisa njësitet policore dhe ekipet emergjente kanë reaguar në vendin e ngjarjes për t`u marr me rastin dhe trajtimin e personave të lënduar.

Zëdhënësi shtoi se lidhur me detaje tjera do të njoftojë pas raportimeve që do marrin nga ekipet në teren.

Ai po ashtu ka apeluar për kujdes gjatë vozitjes në këtë kohë me ngrica dhe mjegull, për të shmangur rastet e tilla.