Foto: Ilustrim

Aksidenti në Carralevë ku vdiqën 2 fëmijë, ky është vendimi i Gjykatës së Ferizajt

Dy fëmijë 8-vjeçarë kanë vdekur pasi ishin goditur në Carralevë nga një veturë të dielën derisa ishin duke ecur në trotuar.

Aksidenti, sipas Policisë, dyshohet të ketë ndodhur për shkak se shoferi nuk kishte përshtatur shpejtësinë me kushtet e rrugës, me ç’rast ka humbur kontrollin mbi veturën, duke dalë në anën tjetër të rrugës dhe duke goditur dy fëmijët që ishin në trotuar.

I dyshuari V.M. ishte arrestuar në ditën kritike dhe ishte dërguar në mbajtje.

E sot Gjykata e Ferizajt ka vendosur në përputhje me kërkesën e Prokurorisë për caktimin e paraburgimit prej një muaji për të dyshuarin.

V.M. po dyshohet se ka kryer veprën penale – rrezikimi i trafikut publik.

Në njoftimin e Gjykatës është përshkruar situata se si ka ndodhur rasti. “I pandehuri nuk ia ka përshtatur shpejtësinë e lëvizjes së automjetit, kushteve në rrugë, ashtu që me të hyrë në kthesë në anë e majtë të drejtimit të lëvizjes, frenon, automjeti bartet dhe kalon në anën e kundërt të anës së majtë të rrugës dhe i godet fëmijët tani të ndjerët L.Rr. dhe D.B., të cilët ishin jashtë rrugës, i pandehuri rrokulliset me automjet dhe bie në lumë, të ndjerët për shkak të lëndimeve dërgohen në QKUK-Prishtinë, ku më 09.05.2021 është konstatuar vdekja e tyre”.

Tutje në njoftim thuhet se paraburgimi ka qenë masa adekuate në këtë fazë të procedurës.