Aksident tragjik në Carralevë, vdesin dy fëmijë

Një aksident tragjik, në të cilin dy fëmijë kanë humbur jetën, ka ndodhur sot rreth orës 16:00 në Carralevë të Shtimes.

Policia ka marrë informacion për aksidentin e trafikut në të cilin ishte e përfshirë një veturë dhe dy këmbësorë, fëmijë të lindur në vitin 2013.

Sipas Policisë, aksidenti dyshohet të ketë ndodhur kur automjeti i udhëtarëve ishte duke lëvizur në rrugën  Shtime –Prizren dhe me të arritur në fshatin Carralevë, për shkak të mospërshtatjes të shpejtesisë së lëvizjes dhe kushteve të rrugës, kthesë, shoferi humb kontrollin mbi automjet dhe kalon në shiritin e kundërt të levizjes dhe i godet dy këmbësoret në trotuar.

Si pasojë e këtij aksidenti të komunikacionit, fillimisht lëndime të rënda trupore marrin dy këmbësorët, të cilët pasi marrin ndihmën e parë mjekësore në QKMF-Shtime, dërgohen në QKUK-Prishtinë për tretman të mëtutjeshëm mjekësor.

Më pas, të dy këmbësorët nuk kanë mundur t’u mbijetojnë lëndimeve të rënda trupore dhe kanë ndërruar jetë në QKUK-Prishtinë.

Me vendim të prokurorit të Prokurorisë së Ferizajt, drejtuesi i automjetit V.M është ndaluar për 48 orë .

Njësia rajonale e komunikacionit rrugor e Drejtorisë rajonale të Policisë në Ferizaj i ka marrë të gjitha masat e nevojshme në lidhje me këtë rast.