Ahmeti: Të gjithëve ju shkëlqejnë sytë nga gëzimi

Kryetari i BDI-së, Ali Ahmeti ka folur para mbajtjes së seancës së Kuvendit, duke thënë se të gjithë të pranishmëve në Kuvend ju shkëlqejnë sytë nga gëzimi, raporton Telegrafi Maqedoni.

“Të gjithë që i kam takuar deri tani, ju shkëlqejnë sytë nga gëzimi. Është ditë për të ju gëzuar. Nuk është ky sukses i vogël, që shqiptarët për një çerek shekulli të arrijnë gjithë këto të mira kombëtare. T’i kishe thënë dikujt para 20 vjetësh se kjo do të bëhet realitet, do të sugjeronte terapi neuropsikiatrike”-tha mes tjerash Ahmeti.

Në zgjedhjet parlamentare të vitit 2020, Bashkimi Demokratik për Integrim që drejtohet nga Ali Ahmeti garoi me sloganin “Për kryeministrin e parë shqiptar”, ndërsa kandidat të saj kishte juristin dhe ish-politikanin Naser Ziberi.

Meqë zgjedhjet ishin fituar nga Lidhja Social Demokrate, kryeministër ishte zgjedhur Zoran Zaev, që atëkohë drejtonte LSDM-në.

Por, për të përmbushur premtimin e BDI-së, Zoran Zaev dhe Ali Ahmeti në marrëveshjen për bashkëqeverisje ishin pajtuar që në 100 ditët e fundit të punës së Qeverisë, kryeministër të caktohet një kandidat i propozuar nga Bashkimi Demokratik për Integrim.

Qeveria që drejtohej nga Dimitar Kovaçevski, më 25 janar e dorëzoi dorëheqjen në Kuvend, ndërsa këtë e bëri edhe Talat Xhaferi, në cilësinë e kryetarit të Kuvendit, për t’u hapur rrugën procedurave për kalimin e tij në krye të Qeverisë teknike.

Sot Talat Xhaferi pritet të emërohet kryeministri i parë shqiptar në Maqedoninë e Veriut