Ahmetaj: Shumë shpejtë do të shpallet data e zgjedhjeve lokale

Burim Ahmetaj, kryeshef ekzekutiv i sekretariatit të KQZ-së, tha se kanë punuar në draft planin e punës së Komisionit Qendror të Zgjedhjeve. Ky draft sipas Ahmetajt është i gatshëm për t`u trajtuar në KQZ.

“Në kuadër të përgatitjeve po përgatitim planin operacional për zgjedhje lokale që pritet të mbahen në vjeshtën e këtij vitit. Pritet që shumë shpejtë të shpallet dita e zgjedhjeve. Pas shpalljes së ditës së zgjedhjeve do ta kemi menjëherë planin operacional”, tha Ahmetaj.

Ahmetaj tha se sekretariati po përgatitet për procedura teknike për projektet me tenderë.

“Janë në proces tenderi për informimin publik dhe shtypjen e fletëvotimeve”, tha ai.

Sipas tij sekretariati është duke përgatit raportin e shpenzimeve të tremujorit të parë.

Gjatë kësaj mbledhje KQZ-ja ka regjistruar edhe tri subjekte politike: Iniciativa Balli, Bošnjačka Strank si dhe Kosova Adalet Türk Partisi.

Si pikë e rendit të ditës, ishte edhe Formimi i Këshillave të KQZ-së.

Kryesuesja e KQZ-së Valdete Daka tha se KQZ ka 5 Këshilla: Këshilli për Marrëdhënie me Jashtë, Këshilli për Personel, Këshilli për Çështje Ligjore, Këshilli për Buxhet dhe Financa, Këshilli për Operacione Zgjedhore.

Anëtarët e KQZ-së gjatë përcaktimit nëpër Këshilla, kanë diskutuar se ku e shohin veten dhe ku mund të kontribojnë.

Sami Kurteshi, anëtar i KQZ-së nga Lëvizja Vetëvendosje ka propozuar që kjo pikë të trajtohet në një mbledhje tjetër pasi sipas tij ende nuk janë dekretuar edhe dy anëtarët e tjetër të KQZ-së dhe se sipas tij nuk është çështje urgjente pasi nuk janë shpallur zgjedhjet lokale.

Arianit Elshani, anëtar i KQZ-së nga Partia Demokratike e Kosovës, tha se kjo çështje do të trajtohet edhe një herë sapo të vij dekreti i presidentes edhe për dy anëtarët e tjerë.

“Së paku mos ta bllokojmë punën e sekretariatit”, tha ai.