AGK e dënon ashpër gjuhën e Gani Kocit ndaj gazetares Jeta Xharra

Asociacioni i Gazetarëve të Kosovës (AGK), e ka dënon ashpër gjuhën e përdorur nga zyrtari i lartë i Partisë Demokratike të Kosovës (PDK), Gani Koci, në drejtim të gazetares Jeta Xharra.

Koci në një postim në rrjetin social Facebook, kishte shkruar sot : “Ka ardh koha, jo me i dezinfektu por me i mbyll me beton gropat septike serbe, të mbetura akoma në Kosovë. Shumë po kundërmojnë!”, duke i quajtur gropa septike serbe që duhet mbyllur me beton, disa personalitete duke përfshirë edhe gazetaren e BIRNI-it, Jeta Xharra.

Për AGK-në, kjo mënyrë e shprehjes ndaj gazetarëve përbën një sulm ndaj lirisë së shprehjes. Presionet e tilla nuk janë të dëmshme vetëm për punën e gazetarëve, por edhe për demokracinë në vend.

“Gazetarët kanë të drejtë të kryejnë punën e tyre lirshëm, pa pasur frikën ndaj etiketimeve të kësaj natyre.  Gjithashtu, AGK u bën thirrje të gjithë zyrtarëve politikë të ndalin sulmet ndaj gazetarëve, në mënyrë që puna e tyre t’i shërbejë opinionit dhe zhvillimit demokratik të shoqërisë”, thuhet në reagimin e AGK-së.

Në fotografinë e publikuar sot nga Gani Koci me mbishkrim kërcenues shihen, kreu i LVV-së, Albin Kurti, Kryetarja e Kuvendit, Vjosa Osmani, ish- këshilltari i Kurtit, Shkëlzen Gashi, deputetja e LVV-së, Fatmire Kollçaku, Jusuf Buxhovi, ish-deputetja Drita Millaku, ish- Zëvendëskryeministri, Haki Abazi, aktivisti Rron Gjinovci, deputetja e LVV-së, Arbërie Nagavci, Drejtoresha e BIRN Kosova, Jeta Xharra, deputetja Fitore Pacolli dhe ish-deputeti, Ilir Deda.

 

Gani Koci i quan “gropa septike që duhet mbyllur me beton” disa personalitete

.