Karaçevë - 18.09.2020, Foto: Adelinë Ahmeti- KALLXO.com
Agim Veliu tregon se çka u konfiskua në aksionin në Karaçevë
Në seancën e sotme të Kuvendit, deputeti i Lëvizjes Vetëvendosje, Alban Hyseni, e pyeti ministrin e Punëve të Brendshme, Agim Veliun se sa vlerë në euro u konfiskua në aksionin e Karaçevës, sa sasi substancë narkotike dhe gjësende tjera u konfiskuan.
Veliu tha se gjatë këtij aksioni u konfiskuan 252 aparate të lojërave të fatit, aparate të lojërave të fatit roleta 2 copë, para të gatshme 6 mijë e 576 euro, 163 mijë e 650 dinarë të Serbisë , dy pushkë të gjata, tri pistoleta, 63 kafshë të sekuestruara, 322 matrikula të kafshëve, 149 pasaporta të kafshëve, 65 certifikata shëndetësore të kafshëve, 15 shtëpiza kompjuteri, pesë llaptopë, nëntë DVD me video-incizime, katër USB me materiale, tre telefona celularë, një numëratorë i parave, katër palë letër bixhozi, pesë çanta me zhetonë lojërash bixhozi,
Pas leximit të listës me gjërat e konfiskuara nga Veliu, Hyseni iu kundërpërgjigj Veliut duke i thënë që të japë përgjigje konkrete e mos të mbajë ligjërata.
“Për këto 6 mijë euro dhe këto mjete të konfiskuara në ato kazino atje ku ka pasë qarkullim me qindra e mijëra e ndoshta miliona euro janë shifra të vogla”, tha Hyseni.
Veliu tha se këto janë fakte dhe informacione të verifikuara dhe se nëse i ka humbur diçka le të shkojë ta kërkojë.
“Këto janë të dhëna në lidhje me operacionin, por nëse jeni duke kërkuar diçka ose ju ka humbur diçka mund ta kërkoni”, iu kundërpërgjigj Veliu.