Agim Bahtirin e Goran Rakiqin i bën bashkë thirrja për t’u ruajtur nga COVID-19

Kryetari i Komunës së Mitrovicës Jugore dhe ai i Mitrovicës Veriore janë bërë bashkë për t’u bërë thirrje qytetarëve që të ruhen nga coronavirusi.

Agim Bahtiri e Goran Rakiq, bashkë me komandantin e KFOR-it, Michele Risi, kanë mbajtur një konferencë për media mbi urën e lumit Ibër sonte vonë.

Komandanti i KFOR-it në një fjalim të shkurtër ka porositur qytetarët që të kenë kujdes dhe të ndjekin udhëzimet e institucioneve publike.

“Që të dy e dinë se situata me coronavirusin është shumë e rëndë. Është shumë serioze në Ballkan, është shumë serioze në Europë. Jam i sigurt se të gjithë qytetarët e Mitrovicë do të ndjekin udhëzimet e institucioneve publike të Kosovës dhe të dy kryetarëve. Dua të falënderoj mediat dhe të gjithë shtypin sepse kjo na ndihmon të gjithëve”, tha Risi.

Ndërsa kryetari i Mitrovicës së Jugut, Agim Bahtiri, ka kërkuar nga qytetarët që të qëndrojnë në shtëpi, të mbajnë higjienën dhe të respektojnë orarin e lëvizjes.

“Kam një lutje për të gjithë qytetarët e Mitrovicës, pa marrë parasysh cilit nacionalitet i takojnë. Po përballemi me një virus që nuk njeh kombësi e as kufi. Unë ju bëj thirrje që të rrini në shtëpi të izoluar si mundësi e vetme për të parandaluar këtë virus. Ju lus që edhe atë kohë që jeni të lirë të lëvizni ruani distancën mes vete, të ruani higjienën në shtëpitë e juaja. Në Mitrovicën e Veriut janë të infektuar dy persona, njëri ka vdekur. Shpresoj që kjo të jetë e fundit”, tha Bahtiri.

Goran Rakiq, kryetar i Mitrovicës Veriore, ka thënë që virusi po godet çdo moshë. Ai ka lutur qytetarët e komunave veriore që të jenë të kujdesshëm.

Kallxo.com merr vesh se 12 persona janë të infektuar në Mitrovicës e Veriut, për dallim nga ajo e jugut ku deri me tani nuk është konfirmuar asnjë rast me COVID-19.

Deri më sot, nga 13 marsi, në Kosovë janë konfirmuar 126 raste pozitive me COVID-19, 10 pacientë janë shëruar dhe një ka vdekur.