Afera në Prokurim, drejtori i Policisë thotë se po vazhdojnë hetimet

Në intervistë për KALLXO.com, ushtruesi i detyrës së drejtorit të Policisë së Kosovës, Samedin Mehmeti, foli për aferën e zhdukjes së disa dokumenteve brenda Departamentit të prokurimit në këtë institucion.

Ai ka mohuar se është fshirë ndonjë e dhënë nga sistemi i brendshëm elektronik i Policisë së Kosovës, PRIMS.

Mehmeti përballë gazetarit Kreshnik Gashi u shpreh se janë duke vazhduar hetimet nga IPK në këtë drejtim.

“U.d. të drejtorit të prokurimit të Policisë së Kosovës e ka raportu një rast që ajo ka pretenduar se janë fshi disa dokumente në sistemin tonë, që lidhen me kontrata. Natyrisht që kjo është shumë shqetësuese. Menjëherë është informu IPK dhe drejtoria jonë e teknologjisë informative që mu verifiku nëse vërtet ka ndonjë fshirje ose shmangie në sistemin tonë Prims. Raporti që më është drejtu nga ky departament tregon me kompetencë të plotë se nuk është fshirë asnjë dokument e nuk është largu asnjë dokument e për më tepër, dua të ju informoj se çfarëdo ndërhyrje në këtë sistem lë shenjë. Departamenti jonë ka dalë me një ekspertizë që nuk asnjë fshirje, ndërkohë që hetimet janë duke vazhdu nga IPK. Nuk kam informacione shtesë nga IPK”, u shpreh Mehmeti.

Ai foli edhe për dorëheqjen e drejtoreshës së Prokurimit pas këtij rasti.

“Drejtoresha kur e ka lajmeru këtë problem, e kam njoftu atë që kjo çështje duhet të adresohet në Inspektorat, sepse shpërdorimi i dokumenteve zyrtare është vepër penale. Ajo e ka paraqit dorëheqjen te menaxhmenti i mëparshëm dhe ky i tashëm nuk ka pasur ndonjë mbështetje, por sipas mendimit tim është lidhur me intencën që ka pasur me këto shmangien e dokumenteve. Nëse ka pasur duhet të hetohet e gjetur kush i ka larguar. Nuk kam kurrfarë qëllimi qe me mbajt me zor drejtoreshën, ajo ka shprehur dëshirën më u largu dhe e kam aprovuar. E kemi një u.d. të asaj pozite, por planifikojmë me hap një konkurs”, tha ai.

KALLXO.com kishte raportuar me 11 nëntor 2020 se drejtoresha e Prokurimit, Vjollca Balaj ka dhënë dorëheqje nga posti i saj brenda Policisë së Kosovës.

KALLXO.com kishte mësuar se e njëjta ka dhënë dorëheqje pas nisjes se hetimeve lidhur me dyshimet se disa dokumente te prokurimit janë fshirë nga sistemi i brendshëm elektronik i Policisë së Kosovës, PRIMS.