Adresimi i fundvitit nga presidentja Osmani në kazermën e FSK-së në Istog - FOTO

Komandantja supreme e Forcës së Sigurisë së Kosovës, presidentja Vjosa Osmani, ka vizituar kazermën “Ushtarët e NATO-s” në Istog.

Vizita e presidentes ka filluar me inspektimin e trupave të FSK-së para demonstrimit duke vazhduar më pas me adresimin e saj.

Pjesëmarrës në këtë vizitë ka qenë edhe Komandanti i përgjithshëm i Forcës së Kosovës, gjenerallejtënant, Bashkim Jashari.

Osmani para të pranishmëve, diku rreth 400 ushtarakë dhe para mediave ka thënë se ndjehet falënderuese dhe krenare me të arriturat e FSK-së.

Madje ajo tha se me këto suksese dhe me përkushtimine e institucioneve do të bëhen hapa me të shpejtë drejt anëtarësimit në NATO.

“Sukseset tuaja në ngritjen e kapaciteteve së bashku me përkushtimin e institucioneve  për të rritur buxhetin dhe përkrahjen për sektorin e mbrojtjes do të na shpien në hapa edhe më të shpejtë drejtë asaj që e kemi mision strategjik e destinacion të përcaktuar; vendin tonë meritor në NATO” – ka thënë komandantja supreme e FSK-së.

Ajo tha se janë të gatshëm jo vetëm për ta mirëmbajtur paqen, por edhe për ta mbrojtur atë në çdo kohë e në çdo cep të globit.

“Viti që po lëm pas u përcoll me sfida, e jo vetëm për ne, por për mbarë botën. Duhet të vetëdijshëm se sfidat do të rriten krahas me përpjekjen për ta sfiduar paqen dhe rendin botëror nga regjimet autoritare” – u shpreh Presidentja.

Ajo iu drejtua ushtarakëve duke thënë se sot më shumë se kurrë, iu duhet devotshmëri ndaj atdheut, vigjilencë e përkushtim që Republikës t’i bëhen gardian.

“FSK-ja është e gatshme dhe e përgatitur për operacione në shërbim të paqes, stabilitetit dhe sigurisë globale” – shtoi tutje Osmani.

E krejt në fund të fjalimit të saj, ajo pati një falënderim ndaj ushtarëve duke mos lënë anash edhe zyrtarë e Policisë së Kosovës.

“Ju falënderoj për shërbimin, disiplinën dhe përkushtimin në detyrë, përderisa bashkë me ju tregojmë edhe mirënjohjen tonë të pakufishme po ashtu edhe për policët tanë në detyrë që çdo ditë po i dalin në mbrojtje atdheut” – u shpreh ajo.

Tutje presidentja ka vazhduar me dhënien e medaljeve dhe mirënjohjeve nga KOMFS.

Sipas agjendës, Presidentja vizitën e saj në “Ushtarët e NATO-s” e ka përfunduar me një drektë të përbashkët me ushtarët, nënoficerët e oficerët e kësaj kazerme.