Kelly Ann Prosser, Foto: CNN
ADN-ja zbulon vrasësin e një 8-vjeçareje pas 38 viteve
Pas afro 38 vjetësh agoni, familja e Kelly Ann Prosser më në fund ka marrë disa rezultate në lidhje me vdekjen e vajzës së tyre.
Policia në Columbus, Ohio, tha të premten se zbërtheu çështjen mbi atë që rrëmbeu, dhunoi seksualisht dhe vrau 8-vjeçaren, gjithçka falë testimit gjenealogjik dhe një gjurmuesi të historisë së çështjes, raporton CNN.
Hetuesit thonë se më 20 shtator 1982, Kelly Ann u rrëmbye në rrethin e Universitetit të Columbus ndërsa po shkonte në shtëpi nga Shkolla Fillore Indianola.
Dy ditë më vonë, trupi i saj u gjet në një fushë misri në rrethin Madison County, tha zëvendës Shefi i Policisë së Columbus, Greg Bodker gjatë një konference për shtyp të premten.
Detajet e çështjes nga Zyra e Prokurorit të Përgjithshëm të Ohio thonë se Prosser ishte rrahur, dhunuar seksualisht dhe më pas ishte mbytur.
Ajo që mbeti pas ishte ajo që – pas vitesh – i ndihmoi hetuesit të zgjidhnin çështjen.
“Ky është një rast që ndër vite e gjithë Policia e Columbus donte ta zgjidhte dhe një rast që preku të gjithë stafin në nivel personal”, tha Bodker. “Imagjinoni në 1982 të mblidhni diçka që nuk e dinit se do të ekzistonte një ditë – ADN”.
Pas një prej “hetimeve më intensive” të departamentit të policisë, provat e ruajtura nga vendi i ngjarjes dolën të ishin çelësi për zgjidhjen e çështjes dekada më vonë, tha Bodker.
Bodker identifikoi vrasësin e Prosser si “Harold Warren Jarrell”, një njeri tani i ndjerë, i cili nuk u përmend në dosjen origjinale të çështjes Prosser.
Në vitin 1977, Jarrell u akuzua dhe u dënua për rrëmbimin e një vajze tjetër 8-vjeçare nga rrethi Tamarack, në pjesën veriore të Columbus.
Ai u la i lirë në janar të vitit 1982, tetë muaj para rrëmbimit të Prosser, tha Sgt. Terry McConnell.