Prinderit duke shoqeruar femijet e klasave fillore ne diten e pare te vitit te ri shkollor, per nxenesit e ciklit te ulet dhe atij te mesem, ne Shkollen e Kuqe, ne Tirane. Foto: LSA

Zgjidhja e rasteve kur kontestohet se kush është prind i fëmijës

Burrat ose gratë në Kosovë mund të kërkojnë vërtetimin e amësisë ose atësisë në rastet kur pretendojnë që fëmija është i tyre apo nuk është i tyre.

Kjo procedurë e njohur në Ligj si procedura e vërtetimit të atësisë ose mëmësisë zhvillohet në gjykatat e vendit.

Sipas Ligjit, kompetente për t’i trajtuar këto çështje janë gjykatat themelore ndërsa procedura nuk zgjat shumë.

Të dhënat statistikore të publikuara në këtë analizë kanë për bazë të dhënat e hapura nga data baza e të dhënave e krijuar nga BIRN, që ka për  burim të dhënat e hapura të ofruara nga Këshilli Gjyqësor i Kosovës, Këshilli Prokurorial i Kosovës si dhe Agjencia për Ndihmë Juridike Falas.

Të dhënat tregojnë që në gjykatë brenda vitit të fundit janë zgjidhur 119 lëndë të kësaj natyre.

Statistikat nga databaza, tregojnë se në vitin 2016 gjykatat filluan me 41 lëndë të pazgjidhura, ndërkaq pranuan 59. Të zgjidhura me aktgjykim gjykues, ku u aprovua kërkesë-padia nuk pati asnjë rast, me marrëveshje gjyqësore u zgjidhën 23 raste, ndërkaq me hedhje poshtë të padisë vetëm dy lëndë. Në vitin 2016, konsiderohen 9 raste të zgjidhura me tërheqjen e padisë.

Të dhënat më tej sqarojnë se gjatë vitit 2017 gjykatat pranuan 41lëndë të çështjes së vërtetimit të atësisë/mëmësisë.

Prej 41 rasteve të vërtetimit të atësisë/amësisë të cilat ishin në punë asnjë rast nuk u zgjidh me aprovim të kërkesë-padisë. Ndërkaq, 6 me marrëveshje gjyqësore, asnjë rast nuk është zgjidhur me hedhje të padisë ndërsa 10 lëndë janë përfunduar me tërheqje të padisë. Vitin 2017, gjykatat e shënuan me 42 lëndë të zgjidhura e 40 lëndë të pazgjidhura.

Fillimviti 2018 nisi me 40 lëndë të pazgjidhura të trashëguara nga viti paraprak.

Nga të dhënat e hapura nga databaza, rezulton se në vitin 2018 gjykatat pranuan 46 lëndë të natyrës së vërtetimit të atësisë/amësisë që së bashku me numrin e lëndëve të trashëguara e çuan numrin në 86 lëndë të cilat i kishin në punë gjyqtarët për këtë vit. Prej këtyre 86 lëndëve, për vitin 2018, 19 raste u aprovuan me kërkesë-padi, 4 raste u zgjidhën me marrëveshje, 1 rast me hedhje të padisë e 9 raste u shënuan me tërheqje.

Nëse e krahasojmë numrin e lëndëve të vërtetimit të atësisë/mëmësisë të zgjidhura për tre vite, rezulton se numri i lëndëve të pa zgjidhura, ka shkuar duke u rritur.

Vërtetimi i atësisë/mëmësisë: Çka është dhe si zbatohet?

Atësia konsiderohet burri i nënës së fëmijës, nëse fëmija është lindur gjatë martesës ose brenda afatit prej 300 ditësh pas mbarimit së martesës. Këtë e përcakton LFK në mënyrë parimore në dispozitat e tij.

Ligji ka paraparë që atësia mund t’i njihet burrit që ka aftësi të veprimit dhe që ka arritur moshën 16-vjeçare, si dhe personit i cili pjesërisht ka qenë i zhveshur nga aftësia për të vepruar, nëse është në gjendje të kuptojë përmbajtjen e deklaratës për njohjen e atësisë.

Kjo e drejtë mund të realizohet para organit të kujdestarisë, gjykatës apo organit tjetër si dhe me anë të testamentit.

Nga neni 113 deri në nenin 124 të Ligjit të Familjes përcaktohen subjektet që kanë të drejtë të ngrenë padinë e kundërshtimit të atësisë/mëmësisë.

Atësia/mëmësia mund të kundërshtohet me anë të padisë brenda afatit prej gjashtë muajsh nga dita e marrjes në dijeni të faktit që vë në dyshim atësinë e tij. Ligji i ka dhënë të drejtë edhe fëmijës ta ushtrojë këtë të drejtë.

Me këtë rast, e drejta e padisë së fëmijës nuk parashkruhet.

Ky raport është mbështetur në të dhënat e grumbulluara nga projekti ‘Databaza për luftimin e narrativeve të dëmshme mbi gjyqësorin’.

Programi është përkrahur nga Fondacioni i Mijëvjeçarit në Kosovë (MFK) dhe Korporata e Sfidës së Mijëvjeçarit (MCC).

Të dhënat në raport nuk paraqesin qëndrimet e MFK dhe MCC por janë qëndrime të Rrjetit Ballkanik për Gazetari Hulumtuese.