Foto: Facebook/ Adem Grabovci

Adem Grabovci përkrah Policinë, djemtë ishin dënuar për rrahje të policit

I mbetur jashtë pozitave drejtuese në parti dhe jashtë listës së kandidatëve për deputetë për shkak të përballjes së tij me drejtësinë në aferën “Pronto”, ish-shefi i grupit parlamentar të PDK-së, Adem Grabovci, megjithatë është angazhuar në parafushatën për zgjedhjet parlamentare të 6 tetorit.

Tani, ai po bën fushatë për nipin e tij, djalin e vëllait, Valon Grabovcin.

Në kuadër të këtij aktiviteti, Adem dhe Valon Grabovci, sot janë takuar me policë të Kosovës.

Në profilin e tij, Adem Grabovci ka publikuar një foto me zyrtarë policorë.

“Rendi dhe siguria, mbi të gjitha. Me Policinë e Kosovës”, ka shkruar ai.

Mirëpo, jo shumë kohë më parë, familjarët e tij nuk ishin treguar miqësorë me policët e Kosovës.

Djemtë e Adem Grabovcit, Guximi e Ngadhnjimi, ishin akuzuar për sulm ndaj një pjesëtari të Policisë së Kosovës.

Incidenti kishte ndodhur në shkurt të vitit 2013.

Dy vjet më vonë, dy vëllezërit ishin dënuar nga Gjykata e Prishtinës me nga 6 muaj burgim, por dënimi ishte konvertuar në dënim me para.

Dënohen Ngadhnjim dhe Guxim Grabovci për Rrahjen e Policit

Më 19 janar 2016, Gjykata e Apelit e kishte konfirmuar dënimin me nga 3 mijë euro të secilit prej dy të akuzuarve.

Kështu, për rrahjen e policit të Kosovës, dy djemtë e Adem Grabovcit u dënuar me gjobë në vlerën e përgjithshme 6 mijë euro.

Gjykata e Apelit Vendosi për Djemtë e Adem Grabovcit

KALLXO.com shkroi sot për politikanin e ri të familjes Grabovci, Valonin, i cili për një kohë të shkurtër i kishte fituar 12 tenderë në vlerë të disa miliona eurove.

EKSKLUZIVE: Amnistohet Djali i Vëllait të Adem Grabovcit

www.kallxo.com