EKSKLUZIVE: Amnistohet Djali i Vëllait të Adem Grabovcit
Gjykata e Prishtinës e ka mbyllur çështjen penale për vetëplagosjen aksidentale të gruas së shefit të deputetëve të PDK-së Adem Grabovcit.
KALLXO.com ka siguruar dosjen e gjykatës me të cilën lënda ndaj djali të vëllait të Grabovcit, Valonit, për armëmbajtje pa leje është mbyllur me një aktvendim të kësaj gjykate.
Valon Grabovci akuzohej nga prokuroria se ishte pronar i armës e cila është konfiskuar pas vetëplagosjes aksidentale të Kumrije Grabovci.
Në dosjen penale të siguruar nga KALLXO.com tregohet se prokuroria më 28.06.2012 kishte ngritur aktakuzë për armëmbajtje pa leje ndaj Valon Grabvocit. E njëjta aktakuzë ishte tërhequr me datë 05.11.2013 me arsyetimin se vepra në fjalë ishte paraparë të falej me Ligjin për Amnistinë.
Valon Grabovci i kontaktuar nga KALLXO.com ka konfirmuar se lënda ndaj tij është mbyllur.
“Lënda ime me ligjin për amnisti ka përfunduar”, ka thënë Grabovci.
Ai ka theksuar se edhe në të kaluarën e kishte pranuar se armën e kishte harruar në banesën e axhës.
“E kam pranuar se ka qenë revolja ime, e kam harru në banesë të Ademit edhe jam paraqitë vet në polici ku e kam marrë përgjegjësinë. Masandej ka ndodhë që është apliku Ligji për Amnistinë dhe ka qenë e mirëseardhur për mua”, ka thënë Valon Grabovci.
Me 29 maj 2012-të Gazeta Jeta në Kosovë ka raportuar për incidentin në të cilin kishte marrë lëndime Kumrije Grabovci bashkëshortja a e shefit të deputetëve të PDK.
Po të njëjtën ditë, Adem Grabovci kishte pranuar se gruaja e tij ishte lënduar duke potencuar se arma e incidentit ishte pronë e djalit të vëllait të tij.
“Arma ka qenë e nipit. Ai e ka pasur këtë armë kujtim nga vëlla im, i cili është dëshmor. Kur ka ardhur në shtëpinë time, nipi këtë armë e ka vendosur nën televizor dhe gruaja, pasi ka shkuar ai, ka bërë përpjekje për ta larguar nga aty, në mënyrë që mos ta prekin fëmijët. Dhe duke u munduar ta largojë pa dashje i ka shkrepur”, pati deklaruar Grabovci me 29 maj 2012. Gjatë ditës KALLXO.com ka tentuar të marrë një koment nga Adem Grabovci por I njëjti nuk është përgjigjur në telefon.
Në dosjen penale të cilën e ka siguruar KALLXO.com nënvizohet se për incidentin me datë 13 qershore 2012-të policia kishte ngritur kallëzim penal I cili pas trajtimit nga prokurori kishte rezultuar me aktakuzën e datës 28 qershore 2012.