Ableard Tahiri, PDK

Abelard Tahiri: Zgjidhje është rrëzimi i kësaj qeverie

Kryetari i Grupit Parlamentar të PDK-së, Abelard Tahiri ka thënë se zgjidhja për situatën aktuale të krijuar në Kosovë është rrëzimi i qeverisë Kurti.

Tahiri e ka quajtur Kurtin ‘kryeministër të izoluar’.

“Politika e jashtme është e suspenduar, drejtohemi nga një kryeministër i izoluar, i sanksionuar. Drejtohemi nga një mazhorancë e dështuar. Zgjidhje është rrëzimi i kësaj qeverie. Rrugën për të pasur sukses duhet ta diskutojmë”- tha Tahiri.

Ai tutje tha se masat e vendosura nga Bashkimi Evropian të vendosura ndaj Kosovës e dëmtojnë rëndë të ardhmen euroatlantike të Kosovës.

“Në agjendën tonë evropiane nuk flitet për progres por kemi hyrë në një fazë shumë të rrezikshme të zhvillimeve të BE-së. Kjo është mjaft shqetësuese. Masat e tilla e dëmtojnë rënd të ardhmen tonë euroatlantike, e dëmtojnë rënd raportin tonë shtet me shtet” – tha tutje Tahiri.

Bashkimi Evropian ka marrë disa masa ndaj Kosovës për shkak se ka konsideruar se nuk janë ndërmarrë veprime për shtensionim të situatës në veri të Kosovës, hapa të cilët janë kërkuar vazhdimisht nga përfaqësuesit e BE-së.

Në një përgjigje për BIRN, një zëdhënës i BE-së thotë se është pezulluar përkohësisht puna në organet punuese në kuadër të Marrëveshjes për Stabilizim Asociim, dhe po ashtu Kosova nuk do të ftohet në takimet të nivelit të lartë dhe vizitat dypalëshe do të pezullohen, përveç atyre që kanë në fokus adresimin e tensioneve në veri.

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti ka konfirmuar se tashmë disa masa janë zbatuar e disa janë paralajmëruar nga partnerët ndërkombëtarë.

Shefi i Qeverisë së Kosovës edhe njëherë i quajti si të padrejta këto masa, për të cilat thotë se janë të përkohshme.