Ilustrim - Autostrada Prishtinë - Shkup

Abdixhiku: Qasja e Vitisë në autostradën ‘Arbën Xhaferi’ garantohet me vendimin e Qeverisë Mustafa

Ministri i Infrastrukturës dhe Ambientit, Lumir Abdixhiku ka thënë se qasja e Vitisë në autostradën “Arbën Xhaferi” garantohet me vendimin e qeverisë së ish-kryeministrit Isa Mustafa, i marrë tri vite më parë.

Abdixhiku i ka reaguar deklarimeve opozitare që kundërshtuan vendimin e djeshëm të Qeverisë së Kosovës, e cila e shfuqiuzoi vendimin e Qeverisë Haradinaj që i garantonte kompanisë “Bechtel & Enka” miliona euro shtesë për kyçje të reja në autostradë.

“Siç edhe ndodh me secilin vendim tjetër të Qeverisë sonë, opozita e zënë ngushtë e pa argument, e provon propagandën. Dhe propaganda e radhës qenka se me ndalesën e 50 milionëshit të djeshëm, ne i kemi lënë banorët e regjionit të Vitisë pa qasje në autostradë. Si arrijnë në këtë përfundim?! Qasja e Vitisë në autostradë garantohet me Vendimin e Qeverisë Mustafa të marrë 3 vite më pare”, ka shkruar Abdixhiku në Facebook.

Sipas tij, vendimi i anuluar i djeshëm është krejt tjetër – “i qeverisë PAN; që përveç se parapërcaktonte në mënyrë arbitrare një firmë të bënte këtë punë, e bënte me çmim plot 50 milionë euro më shumë. E merrni me mend sa kyçja e sa puna bëhet me këtë shumë?”

Ministri ka shtuar se kyçjen në Gërlicë të Vitisë e kanë paraparë edhe në “programin qeveritar LDK-LVV; kapitulli i 8-te, faqe 32”.

“Për dallim prej fjalëve të qeverisë së shkuar, ne do ta bëjmë këtë punë në këtë mandat. Më mirë e më lirë; më drejtë e më pastërt”, është shprehur ministri.

Komuna e Ferizajt e udhëhequr nga PDK-ja, ka thënë se vendimi i qeverisë është i nxituar, i paanalizuar si dhe mbyllë komunikimin ndërurban e shtetëror në regjionin e Ferizajt.

“Vendimi i sotëm duhet të rishikohet, analizohet e të nxirren përfundimet adekuatë, mbetja e tij në fuqi rrëzon përpjekjen shumëvjeçare të deputetëve ferizajas”, thuhej në këtë njoftim.