Abdixhiku: LDK po ofron masa konkrete për tejkalim të krizës, por pushteti s’po dëgjon

Kryetari i LDK-së, Lumir Abdixhiku ka takuar sot strukturat e partisë në qytetin e Pejës, me ç’rast diskutoi për programin e ri të LDK-së si dhe për krizat nëpër të cilat po kalon vendi , me theks të veçantë për ato ekonomike, duke lëshuar akuza edhe në drejtim të qeverisë.

Sipas Abdixhikut, LDK ka zgjedhur dëgjueshmërinë përballë padëgjueshmërisë, unifikimin përballë ndarjes dhe shpresën e besimin përballë zhgënjimit e justifikimit.

“Kjo Qeveri mund të ushqehet me kriza e të jetoj nga to, mirëpo çmimi i këtyre krizave është bërë i papërballueshëm për qytetarët. Nuk mundesh që qytetarët fillimisht t’i braktisësh e pastaj edhe t’i ndjekësh për t’i ndëshkuar. Rasti i fundit ishte kur 25 mijë familje të mësimdhënësve u përballën me ndëshkimin qeveritar, duke u dënuar kolektivisht në ditë të demokracisë. ” – theksoi kryetari Abdixhiku.

Ndërsa, sa i përket dorëheqjes së ministrit të Shëndetësisë, kryetari Abdixhiku, tha se ministri i vërtetë i kësaj ministrie është vetë kryeministri, ndaj dhe ky është dështimi i tij, i cili po e dëmton rëndë edhe shëndetin e qytetarëve.

Në komunikatë e LDK-së, tutje theksohet se Abdixhiku është zotuar se LDK nuk do të lejojë që pushteti t’i ndajë e ndëshkoj qytetarët.

“LDK po i dëgjon mësuesit që deri dje i dënuan me ndalje të pagës. Po i dëgjon nxënësit që i lanë për pesë javë larg bankave shkollore. Po i dëgjon prindërit e nxënësve që iu kishte shtuar edhe një krizë nga mosnisja e procesit mësimor. Po i dëgjon mjekët që po trajtohen keq e po ikin, si dhe pacientët që nuk po marrin shërbimet e duhura shëndetësore. Po i dëgjon familjarët e mbi 100 mijë punëtorëve që kanë ikur nga vendi në kohën e kësaj Qeverie” – tha në mes tjerash Abdixhiku.

LDK thotë se kanë ofruar propozime konkrete për lehtësimin e krizës së rritjeve të çmimeve, por që sipas tyre pushteti nuk po dëgjon.