Foto: Urim Krasniqi/KALLXO.com

Abdixhiku: Kurti nuk e ka sjellë Asociacionin, por ai po e pranon përkundër kundërshtimit disavjeçar

Kreu i LDK-së, Lumir Abdixhiku gjatë deklarimit të tij në Kuvend ka shpalosur kritika për kryeministrin Albin Kurti për pranimin e planit evropian në takimin e së hënës në Bruksel.

Abdixhiku ka thënë ka thënë se insistimi për të folur për takimin e të hënës ka të bëjë me parathënien e marrëveshjes e cila sipas tij është mbajtur fshehtë nga Kurti në Kuvend.

“Kjo marrëveshje ka 11 nene dhe një aneks të pa bërë publik. Është insistimi ynë të flasim për parathënien të mbajtur fshehtë në seancën për dialogun e cila ishte lënë në gjysmë. Në një dokument të mbështetur nga 27 vende, Kurti pajtohet të tejkalojë trashëgiminë e të kaluarës dhe historinë e përgjakshme e shtypëse të Serbisë ndaj popullit të Kosovës”- ka thënë Abdixhiku.

Sipas tij, është e vërtetë që Kurti nuk e ka sjellë marrëveshjen për Asociacionin, por është duke e pranuar atë.

“Kurti nuk e ka sjellë Asociacionin. Por ajo çfarë po sjellë ky kryeministër është pranimi i këtij asociacioni përkundër kundërshtimit disavjeçar. Punë për të se si e arsyeton para bazës së vetë”- ka thënë ai.

Sipas tij, për LDK-në, është e drejtë zbatimi i marrëveshjeve të kaluara, përfshirë asociacionin jo etnik.

“Të dyja palët konfirmojnë detyrimin për të zbatuar marrëveshjet nga e kaluara është përmbajtja e nenit 10, dhe sado që kryeministri është munduar ta mbajë të fshehtë, ai ka pranuar(me të drejtë themi ne) implementimin e marrëveshjeve paraprake, përfshirë edhe asociacionin jo etnik sipas Kushtetueses”- ka thënë tutje ai.

Ai ka shtuar se kjo nuk është hera e parë që kjo qeveri ulet përballë me Vuçiqin, duke thënë se kryeministri Kurti gjithmonë në mendje ka pasur luftën e brendshme politike në Kosovë.

“Sikur ta kishte në mendje përballjen me Vuçiqin e jo luftën e brendshme politike në Kosovë, ndoshta do ta kuptonte më mirë marrëveshjen që e ka pranuar më 27 shkurt”- tha Abdixhiku.

Teksa ka folur për nenet e propozimit evropian, ai ka thënë se kryeministri ka pranuar një marrëveshje që ka mungesë të njohjes në qendër.

Propozimi i BE-së, i njohur në publik si “plani franko-gjerman”, që Kosovës dhe Serbisë iu dorëzua shtatorin e kaluar, u pranua gjatë takimit të 27 shkurtit mes kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti, dhe presidentit të Serbisë, Aleksandar Vuçiq, në praninë e ndërmjetësuesve evropianë. Ky propozim titullohet: “Marrëveshja drejt normalizimit mes Kosovës dhe Serbisë”.

Përparimi drejt zbatimit të propozimit, sipas bllokut evropian, do të bëhet përmes diplomacisë fluturuese, përkatësisht përmes udhëtimeve që pritet të realizojë në Prishtinë dhe Beograd i dërguari i posaçëm i BE-së për dialogun Kosovë-Serbi, Mirosllav Lajçak.

Kurti pas takimit ka thënë se ai ka qenë i gatshëm ta nënshkruante Planin e Bashkimit Evropian, i njohur si Plani franko-gjerman.

Kryetema e këtij plani ishte perceptuar të jetë marrëveshja për Asociacionin e Komunave me Shumicë Serbe, mirëpo kjo marrëveshje nuk përmendet veçmas në asnjë nga 11 nenet e këtij plani.

Mirëpo, pika e parafundit e këtij plani, pika e 10-të, në përmbajtjen e saj e përfshinë edhe marrëveshjen e Asociacionit të Komunave me Shumicë Serbe.