Foto: Urim Krasniqi/KALLXO.com

Abdixhiku: Kryeministri kur humb argumentet, prodhon material për TikTok

Gjatë debatit parlamentar për dialogun Kosovë-Serbi, kreu i LDK-së, Lumir Abdixhiku ka thënë se kryeministri Albin Kurti kur humb argumentet në debat, fillon të prodhojë material për rrjetin social Tiktok.

“Kryeministri kur humb argumentet, prodhon material për TikTok, ashtu bëri edhe sot. Nga Gjuriqi kaluam tek Nenad Rakiq, po ashtu nga Pantiqi e Ivanoviqi, të parin s’ke mujt dy javë me sjell në Prishtinë e të dytin e ke glorfifiku si njeri i heroizimit e multienticitetit në veri”- ka thënë ai.

Kjo deklaratë e Abdixhikut erdhi pas fjalimit të Kurtit i cili tha se opozita ka diskutuar gjerë e gjatë për videon e tij për Oliver Ivanoviqin, ndërsa ka shtuar se ai ka folur në serbisht, duke iu thënë se nuk ka folur për ta, por për serbët.

Kryetari i partisë opozitare e ka quajtur kryeministrin Kurti, ‘kontradiktor’, dhe i ka përmendur disa prej çështjeve për të cilat, sipas Abdixhikut, Kurti ka pasur kontradikta.

“Kryeministri ka probleme thelbësore kontradiktore sepse është në transformim të pozicioneve të tij prandaj po humb edhe qetësinë edhe argumentin. Thotë se është marrëveshje kontraktuale por nuk është marrëveshje ligjërisht e obligueshme, thotë merre ose leje por është bazë e mirë, kontradita e tretë është se do të ketë implementim të marrëveshjeve paraprake por nuk do të ketë zajednicë…”- ka thënë ai.

Gjatë ditës së sotme në Kuvend, mes deputetëve të LDK-së dhe kryeministrit Albin Kurti ka pasur disa herë përplasje.

Kuvendi i Kosovës po zhvillon debat parlamentar për zhvillimet në dialogun ndërmjet Kosovës dhe Serbisë.

Më 6 shkurt, pas drekës me me të dërguarin e BE-së për dialogun Kosovë – Serbi, Miroslav Lajçak ka thënë se Kosova e pranon propozimin e Bashkimit Evropian i njohur si plani franko – gjerman.

Ndërsa, ende nuk ka një datë kur pritet të mbahet takimi i radhës i nivelit të lartë lidhur me dialogun, ndonëse i dërguari i posaçëm i Bashkimit Evropian për dialogun mes Kosovës dhe Serbisë, Mirosllav Lajçak pas takimit me kryeministrin Albin Kurti dhe me presidentin serb Aleksandar Vuçiq, më 7 shkurt ka paralajmëruar se diskutimet do të vazhdojnë në një takim të nivelit të lartë.

Takimi i fundit me Kurtit dhe Vuçiq u mbajt në nëntor të vitit 2022.