Abdixhiku: Ftoj Prokurorinë e Kosovës, të hetojë vonesën në mirëmbajtjen e Bllokut A5

Kreu i Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), Lumir Abdixhiku, ka vazhduar kritikat nga Qeverisë Kurti për shkak të krizës energjetike që po përballet vendi ynë.

Sipas Abdixhikut, Kosova ka mungesë të rrymës për shkak se Blloku A5 i KEK-ut, që prodhon plot 13% të rrymës në Kosovë, nuk është në funksion tash e një muaj.

Abdixhiku ka ftuar Prokurorinë e Kosovës të nisë hetimet për vonesat e mirëmbajtjes së këtij blloku. Gjithashtu, ai ka bërë thirrje që Qeveria të shkarkojë bordet e KEK-ut dhe ZRrE-së.

Publikimi i plotë i Abdixhikut:

Kosova nuk ka rrymë sot sepse Blloku A5 i KEK-ut, që prodhon plot 13% të rrymës në Kosovë, nuk ka kryer mirëmbajtjen e rregullt e të paraparë me kohë – prandaj tash e një muaj nuk është në funksion. Një muaj as mirëmbajtje e as prodhim. Dhe do të qëndrojë kështu për shumë kohë sepse Qeveria e Kosovës, sikurse në çdo temë tjetër, është e vonuar të veprojë. Verës pushon, dimrit nisë të mirëmbajë – këso praktike të mbrapshtë nuk njeh asnjë shtet.

Sot, nga 130 MWh në orë, apo 78,000 euro për orë (në pikun energjetik), i humbasim si pasojë e kësaj vonese skandaloze. Madje, gjatë muajve në vijim, kur çmimi i energjisë rritet edhe më shumë, vlera e humbur do të jetë shumë më e lartë se kjo. Kemi kapacitete por s’i kemi në punë. Kjo është e vërteta e reduktimeve të rrymës në verë.

Përtej neglizhencës së praktikantëve, nuk mund të mendojë asgjë tjetër, veçse një interes madhor që përfiton miliona euro nga tenderet riparuese e nga blerja e energjisë derisa ne nuk prodhojmë.

Prandaj ftoj Prokurorinë e Kosovës, të hetojë vonesën në mirëmbajtjen e Bllokut A5. Siç dhe ftoj Qeverinë e papërgjegjshme të Kosovës të zgjohet nga gjumi i thellë veror e të bëjë çdo përgatitje të nevojshme për një dimër të vështirë për energjinë – nisur nga shkarkimi i Bordeve partiake në KEK e ZRrE që me paaftësi po krijojnë terr në verë.