Abazoviq në ditën e betimit të presidentit: Ditë historike për Malin e Zi

Kryeministri në detyrë i Malit të Zi, Dritan Abazaviq, e ka quajtur ditë historike për Malin e Zi inaugurimin e Jakov Millatoviq i cili zyrtarisht mori detyrën e presidentit.

Sipas tij, Mali i Zi është në rrugën e duhur politike.

“Kjo është ajo për çfarë kemi luftuar. Kuvendi i Malit të Zi më i bukur se kurrë. I gjithë rajoni, si dhe mysafirë nga Evropa dhe e gjithë bota, u mblodhën në një vend. Mali i Zi dërgon mesazh shumë të bukur. Ëndrra jonë politike është realizuar. Me guxim – Mali i Zi në rrugën e duhur”- është shprehur Abazoviq.

Në fjalimin e tij inaugurues, Millatoviq tha se ishte i nderuar dhe krenar që mori detyrën e presidentit duke bërë betimin:

“Do të jem një president i vërtetë i të gjithë qytetarëve, pavarësisht përkatësisë së tyre kombëtare, politike apo fetare”.

Rreth 200 personalitete morën pjesë në ceremoninë e betimit, që u zhvillua në Parlamentin e Malit të Zi, përfshirë zyrtarë nga vendet fqinje, ambasadorë dhe të dërguarin e posaçëm të Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Gabriel Escobar.

Në mesin e tyre ishin edhe presidenti i Kroacisë, Zoran Millanoviq, presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, presidenti i Shqipërisë, Bajram Begaj, ndërkaq nga Presidenca e Bosnjë e Hercegovinës të pranishëm ishin Zhelko Cvijanoviq dhe Zhelko Komshiq.

Jakov Millatoviq mori detyrën e presidentit të Malit të Zi