Zv.kryeministri i Malit të Zi, Nik Gjeloshaj, Foto: KALLXO.com

Gjeloshaj: Në qeverinë e Abazoviqit më shumë është folë se sa është bërë

Zv.kryeministri shqiptar i Malit të Zi, njëherësh ish-kryetar i komunës së Tuzit, Nik Gjeloshaj, ka thënë se në qeverinë e cila është udhëhequr nga Dritan Abazoviqi, është bërë pak por është folë shumë.

Ai në emisionin “KallxoPërnime”, ka shtuar se si parti kanë qenë pjesë e asaj qeverie.

“Mendoj që është tepru sepse janë marrë meritat nga politika aty ku nuk i takon. Mendoj që kontrabandën nuk e ndalë qeveria edhe pse ka pasur gjëra të tilla. Mendoj që ato i bëjnë institucionet e tjera, kemi policinë, prokurorinë” – tha Gjeloshaj.

Ai tutje duke iu referuar deklaratave të ish-kryeministrit të Malit të Zi, Dritan Abazoviq, që tha se ka shkatërruar mafian në këtë shtet, tha se do të dëshironte të besonte këtë.

“Kisha dashtë të ishte ashtu sinqerisht, si prind njëherë e pastaj si politikan por mendoj që këtë nuk kanë mundur ta bëjnë shtete shumë më të zhvilluara e le më Mali i Zi, që është në një tranzicion apo duke e gjetë rrugën me shku në tranzicion” – tha tutje Gjeloshaj.

Ai shtoi se në gjyqësor nuk ka askush besim në Mal të Zi.

“Kërkush nuk ka besim që gjykohet në bazë të fakteve dhe në bazë të ligjit sepse këtë sistem e kanë krijuar në kohëra që nuk ka pasur lidhje profesionalizmi. Dhe i kanë krijuar strukturat ku, drejtuesit e tyre për momentin nuk janë në liri. Gjyqësori mendoj që është i kapun” – shtoi zv.kryeministri i Malit të Zi.

Gjeloshaj ka folur edhe për doganën dhe policinë ku tha se nëse nuk luftohet korrupsioni në këto dy sisteme, nuk do të ketë zhvillim ekonomik.

“Mendoj që po duhet ta bëjmë këtë së bashku edhe me ndihmën e ndërkombëtarëve” – përfundoi Gjeloshaj.

Abazoviq: Një pjesë e cigareve të kontrabanduara nga Mali i Zi ka dalë edhe në Kosovë