Abazoviq: Një pjesë e cigareve të kontrabanduara nga Mali i Zi ka dalë edhe në Kosovë

Ish-kryeministri i parë shqiptar i Mal të Zi, Dritan Abazoviq, ka thënë se për herë të parë ky shtet ka arritur që të fillojë luftën kundër kontrabandës.

Ai në një intervistë për emisionin “Kallxo Përnime” ka shtuar se qëllim i Qeverisë që ai ka udhëhequr për një vit e gjysmë ka qenë fillimi i këtyre çështjeve.

“Problemi më i madh këtu ka qenë se nuk kemi mundur  ta luftojmë ‘deep state’ (parapolitikën), s’mundemi me ndërru tërë administratën, sistemin gjyqësor, por kemi nisur proceset. Kemi nisë luftën kundër kontrabandës së cigareve, biznesi më i madh që ka bërë Mali i Zi në 30 vitet e fundit, biznes që matet 500 milionë euro në vit” – ka thënë Abazoviq.

Ai ka thënë se me një aksion që ka ndërmarrë porsa është bërë kryeministër, Qeveria malazeze ka arritur që t’i sekuestrojë rreth 200 mijë pako cigare kontrabandë.

“Ata janë kontejnerë për anije, të gjitha janë të konfiskuara. Kjo s’ka ndodhur askund në botë, nuk ka ndodhur me pasë asi lloj konfiskimi” – tha Abazoviq.

Ai ka shtuar se me këtë e ka kuptuar që ndalja e krimit të organizuar në Mal të Zi krijon probleme në rajon.

“Ekzistojnë njerëz në rajon që nuk janë të kënaqur me këto rezultate sepse një pjesë e cigareve ka shkuar nëpër Rozhajë, ka dalë edhe në Kosovë, një pjesë lidhet edhe me njerëz në veri të Kosovës” – tha tutje ish-kryeministri malazez

“Cigaret që janë zënë në Mal të Zi nuk janë për këtë vend, kontrabandistët e kanë përdorur Malin e Zi si vend transit” – tha tutje ai.

Ka thënë gjithashtu se këto cigare të kontrabanduara janë prodhim i Egjiptit, Libanit dhe destinacion kanë Perëndimin.

“Shkojnë në Angli, Gjermani etj. Na jena shtet transit, kush bën kontrabandë për 600 mijë banorë?” – thotë ish-kryeministri i Malit të Zi.

A ka kërkuar ndonjëherë Kosova informata nga Mali i Zi për kontrabandën e cigareve?

“Këto të dhëna që i kemi ne nuk i ka kërkuar askush nga Qeveria e Kosovës. As specifikisht nuk kemi folur me Albin Kurtin për kontrabandën e cigareve. Pjesa që ka kaluar në Kosovë, sipas informatave që i kemi kanë shkuar te persona që janë të njohur për institucionet e Kosovës por që unë nuk do ia përmend emrat” – tha Abazoviq.

Ai ka shtuar se ndonëse nuk i është kërkuar asnjë informatë nga institucionet e Kosovës lidhur me këtë kontrabandë, ka pasur marrëdhënie të mira me Policinë e Kosovës.

“Me policët e rajonit kemi pasur marrëdhënie të mirë dhe bashkëpunim i cili ka qenë në nivel të lartë, flas gjeneralisht nuk po flas për çështjen e kontrabandimit të cigareve” – shtoi ai.

Abazoviq ka folur edhe për shpëlarjen e parave, dukuri kjo që po ndodh edhe në Kosovë, edhe në Mal të Zi, por edhe në rajon.

“Për shpëlarjen e parave në bisedat që i kemi pasur na nuk kemi hapur ndonjë çështje konkrete por ai (Albin Kurti) e ka treguar atë interesim por edhe për çështjet e tjera se çfarë ndodhi në Kosovë njësoj edhe në Mal të Zi e kemi atë problem”, – tha Abazoviq.